Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media - 15 prill 2022, Foto: KALLXO.com

Reagon Lista Serbe pas deklaratës së Sveçlës për Milan Radoiçiqin

Lista serbe ka reaguar pas intervistës së mbrëmshme të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në RTK, ku ky i fundit ka thënë se nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiqit do t’i vie momenti kur do të kapet nga Policia e Kosovës dhe do t’i përgjigjet veprave për të cilat ai dyshohet.

“Radoiçiq dikur lëvizte i lirë dhe kishte pushtet, tani po humb pushtet dhe i duhet të futet ilegalisht në Kosovë. Radoiçiqi do t’i rrallojë vizitat në Kosovë sepse do t’i vij momenti kur do të zihet nga Policia e Kosovës dhe do të përgjigjet për të gjitha veprat për të cilat dyshohet” – ka thënë Sveçla.

Lista Serbe këtë deklaratë të Sveçlës e ka cilësuar si kërcënim ndaj Radoiçiqit.

“Kërcënimet që ministri Xhelal Sveçla i bën nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq janë pasqyrë e dobësisë dhe pafuqisë që ndjen Sveçla në lidhje me respektin dhe mbështetjen që serbët në veri i japin Radoiçiq në luftën për të drejtat e popullit serb” – është thënë në reagim.

Tutje është shtuar se qëllimi i Sveçlës, sipas tyre, është pushtimi i veriut dhe dëbimi i serbëve.

“Duam t’i themi ministres Sveçla, është e qartë për të gjithë serbët, se qëllimi juaj është pushtimi i veriut dhe dëbimi i serbëve, jo stabilizimi i mundësive, por ju gjithashtu duhet të kuptoni se serbët kurrë nuk do të pajtohen me këtë, mos i dëboni dhe pushtoni popullin tonë” – ka thënë Lista Serbe.

Nga ana e këtyre të fundit po ashtu është thënë se duan t’ia kujtojnë Sveçlës se ai, sipas tyre, shkon në veri i fshehur me xhipa të blinduar të errët, pas dhjetëra kontrolleve dhe analizave.

Madje është shtuar se në çdo mbërritje që ka Sveçla në veri, sipas Listës Serbe, ai ka frikë të mos takohet Radoiçiqin, që sipas tyre kjo gjë është bërë një obsesion i dukshëm për të dhe një makth.