Aleksandër Lumezi - Kryeprokuror i Shtetit - FOTO KALLXO - 10.04.2019

Reagon Kryeprokurori i Shtetit: Deklaratat e Fejzullah Hasanit për vrasjen e Agonis Tetajt ndërhyrje në punën e drejtësisë

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka reaguar kundër deklaratave të ish- kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës pas deklarimeve të tij në lidhje me rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj, në vendin e tij të punës.

Sipas këtij reagimi, deklaratat e Fejzullah Hasanit përbëjnë ndërhyrje direkte në punën e Prokurorisë dhe Gjykatës.

“Një konstatim i tillë për një çështje penale nga ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës për të cilën ende nuk është marrë vendimi gjyqësor përbënë ndërhyrje direkte në punën e Prokurorisë dhe Gjykatës. Prandaj, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të lihen të punojnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale, duke treguar kështu respekt për detyrat që kryhen nga profesionistet e drejtësisë penale”, thuhet në reagimin e Kryeprokurorit.

Zyra e Kryeprokurorit tutje e ka cilësuar si të pakuptimtë mënyrën se si ish-kryetari i Gjykatës Supreme lëshohet dhe jep mendime se a kemi të bëjmë me vrasje të rëndë apo vrasje nga pakujdesia për një rast kaq të ndjeshëm edhe për opinionin publik pa i lexuar dhe shqyrtuar në detaje shkresat e lëndës së këtij rasti.

Në këtë reagim Zyra e Kryeprokurorit ia ka përkujtuar ish kryetarit të Gjykatës Supreme se sipas ligjit për shkak të paaftësisë profesionale, neglizhencës apo konfliktit të interesit, Kryeprokurorit të Shtetit i lejohet që në çdo kohë të marrë secilin rast nga cilido prokuror dhe ta ricaktojë atë te një prokuror tjetër me qëllim të zhvillimit efikas të procedurës.

Dje Fezullah Hasani kishte hedhur kritika në drejtim të Kryeprokurorit të Shtetit dhe gjyqësorit për trajtimin e rastit të vrasjes së Agonis Tetajt.
Hasani kishte deklaruar se veprimi i Kryeprokurorit për ndërrim të prokurorit të rastit pasi të rikualifkohet vepra nuk njihet dhe nuk është parë nga praktika gjyqësore.

Ai tutje kishte deklaruar se sipas tij në pamje vërehet se i akuzuari nuk kishte pasur fare target kur kishte qëlluar me armë.

Vrasja e Agonis Tetajt në vendin e tij të punës në Deçan bëri bujë të madhe në të gjithë vendin në momentin kur u publikuan pamjet e vrasjes së tij.

Për vrasjen e Agonis Tetajt po akuzohet Shaban Gogaj.

Prokuroria e Pejës kishte ngritur aktakuzë që e ngarkonte Shaban Gogajn për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Pas një kërkese të avokatit Besnik Berisha, ish-Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, kishte përjashtuar në tërësi Prokurorinë e Pejës për trajtimin e rastit, duke dërguar lëndën në Prokurorinë e Gjilanit.

Agron Uka prokuror i Prokurorisë së Gjilanit ka përfaqësuar këtë lëndë në gjykata ku në fjalën përfundimtare kishte rikualifikuar vrasjen e Agonis Tetajt si vrasje nga pakujdesia.

Babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, përmes një shkrimi publik drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, mediave dhe ambasadave ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit i cili e konsideroi nga pakujdesia vrasjen e birit të tij.

Disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt, KALLXO.com publikoi një foto ku shihen avokati i familjes Gogaj dhe prokurori i rastit Agron Uka, duke qëndruar në një kafiteri.

Të nesërmen Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, njoftoi se pas videos dhe  dyshimeve për mostrajtim të duhur të rastit të vrasjes së Agonis Tetajt nga ana e prokurorit Agron Uka, u vendos që prokurori Uka të përjashtohej nga ndjekja penale e kësaj çështjeje dhe të njëjtën çështje t’ia kalojë një prokurori tjetër.

Në të njëjtën kohë Kryeprokurori i Shtetit kishte kërkuar nga trupi gjykues që të mos e shpall aktgjykimin pasi që kishte kërkuar që të bëhen hetime të mëtutjeshme për të marrë prova të tjera të nevojshme për zbardhjen e rastit.

Gjykata e Pejës kishte marrë vendim për rihapje të shqyrtimit gjyqësor.

Arsyet e gjykatës për rihapjen e gjykimit të vrasjes së Agonis Tetajt