Reagon KGjK: Deklarimet e Albulena Haxhiut nuk ndikojnë në funksionimin e Këshillit Gjyqësor

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka reaguar ndaj deklarimeve të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se nuk dëshiron të mbështesë KGjK-në kur Këshilli do t’i mbyll sytë përballë skandaleve dhe nëse nuk punojnë për ta kthyer besimin në sistemin e drejtësisë.

Përmes një komunikatë për emdia, KGjK ka shprehur pakënaqësi dhe ka reaguar lidhur me këtë deklaratë, duke njoftuar opinionin e gjerë, përfshirë edhe mediat, se Këshilli Gjyqësor, si institucion i pavarur, është duke i përmbushur përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore.

“Reagimet dhe deklarata e Ministres Haxhiu nuk i kontribuojnë bashkëpunimit të institucioneve sepse përgjegjësitë e institucioneve për komunikim dhe bashkëpunim përcaktohen me Kushtetutë dhe ligj, dhe jo nga vullnetet personale. Përndryshe, KGjK, ka mekanizmat e vet për adresimin e secilës çështje që është përgjegjësi e KGjK-së, andaj çfarëdo përpjekje nga jashtë, përfshirë edhe deklaratat e Ministres Haxhiu, janë pa ndikim në mënyrën se si funksionon ky Këshill”, thuhet në njoftim.

Pas mbledhjes se sotme të Qeverisë, ministrja Haxhiu tha në mes të tjerash se Ministria e Drejtësisë nuk do të mbështesë Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial nëse ata nuk e kthejnë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë

“Relacionet mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshilli Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor janë të mira në momentin kur duan të bëjnë punë të mira. Nuk mund ti mbështes nëse ata i mbyllin sytë përballë shkeljeve e skandaleve me të cilat jemi përball gjatë ditëve të fundit. Jemi zotu se do ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, ishte shprehur ministrja Haxhiu sot gjatë ditës.