Foto: Facebook/ Artan Murati
Reagon këshilltari i Vjosa Osmanit: Ajo asnjëherë nuk ka qenë përkthyese e Thaçit
Këshilltari i kryetares së Kuvendit, Artan Murati, ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit të LDK-së dhe disa videove, të cilët e prezantojnë Vjosa Osmanin si “përkthyese të Thaçit”.
Murati ka thënë se Vjosa Osmani asnjëherë nuk ka qenë përkthyese e Hashim Thaçit.
Ai ka theksuar se Vjosa Osmani e ka korrigjuar presidentin aktual Hashim Thaçi në një konferencë për media, por në atë kohë ajo ka qenë shefe e stafit të presidentit të atëhershëm Fatmir Sejdiu.
Deklaratat e Muratit erdhën pas disa publikimeve të disa video-ve në rrjete sociale ku shihet se Vjosa Osmani teksa po përkthente një pjesë të deklaratës së presidentit aktual, atëherë kryeministër, në një konferencë në ShBA.
Gjithashtu gjatë ditës së djeshme nënkryetari i LDK-së Agim Veliu e ka quajtur Vjosa Osmanin “përkthyese të Thaçit”,
Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Artan Muratit:
Puna e përkthyesit dhe demantimi i qartë nga arkiva e Departamentit të Shtetit ku Sekretarja Clinton e prezenton Vjosa Osmanin si Shefe të Stafit të Presidentit Sejdiu
E para, profesioni i përkthyesit është profesion i ndershëm, i vështirë e në raste të takimeve të nivelit të lartë, është edhe determinues që mesazhi i rëndësishëm politik i një shteti të përcillet si duhet. Pra, ata që mendojnë se e fyejnë dikë duke e quajtur përkthyes, gabohen. POR, Vjosa Osmani kurrë nuk ka punuar si përkthyese e Hashim Thacit. Kurrë. Thjeshtë, sepse kurrë nuk ka punuar për Hashim Thacin. Ne fakt, ajo ka qenë e angazhuar vetëm si Këshilltare e lartë e pastaj si Shefe e Stafit të Presidentit Sejdiu dhe në këtë cilësi (pra si shefe e stafit të Presidentit Sejdiu) ka ndihmuar në takimin e organizuar me Sekretaren Clinton, të mbajtur në Departamentin e Shtetit. Pra, jo si përkthyese e Thacit, por sepse kjo ndihmë i është kërkuar direkt nga vetë Sekretarja Clinton atë ditë për shkak të vonesës së përkthyesit të departamentit të shtetit. Sekretarja Clinton para mediave të gjithë botës e prezenton znj.Osmani si ‘Shefe e Stafit të Presidentit”. Shih si dëshmi arkivën e Departamentit të Shtetit nga data 26 shkurt 2009. I gjithë transkripti I kësaj konferencë për shtyp mund të gjindet këtu: https://2009-2017.state.gov/…/200920…/rm/2009a/02/119845.htm
Znj.Osmani vërtetë e korrigjoi Thacin në atë konferencë për shtyp. Por kjo nuk ishte hera e fundit që u desht ta korrigjonte. Këtë e ka bërë vazhdimisht, në cilindo kapacitet publik, duke u shërbyer kështu gjithnjë qytetarëve me nder e duke vënë gjithnjë interesat e Republikës para cdo interesi tjetër.