Reagon KEK-u: Eksportojmë energji elektrike natën kur përmbushen nevojat e konsumit vendor

Korporata Energjetike e Kosovës ka dalë me sqarim rreth eksportit/importit të energjisë elektrike.

Sipas Korporatës Energjetike e Kosovës (KEK) tregtimi i energjisë elektrike (eksporti) nga KEK-u bëhet kryesisht kur paraqiten tepricat pasi të përmbushen nevojat e konsumit vendor.

Përmes një statusi në Facebook, KEK-u ka treguar se tepricat zakonisht shfaqen (natën) në intervalin kohor nga ora 01:00 deri në orën 07:00 eventualisht deri 09:00.

“Bazuar në procedurat e brendshme, KEK fillimisht deklaron prodhimin e energjisë elektrike për konsum vendor, pra për nevojat e konsumit të Shërbimit Universal si dhe mbulimin e humbjeve. Si rrjedhojë, në rastet kur shfaqen tepricat fillimisht i ofrohen KESH-it (shkëmbim) e pjesa e mbetur e energjisë (nëse mbetet) atëherë plasohet në treg përmes tregtarëve të licencuar nga ZRRE-ja”, thuhet në reagim.

Gjithashtu KEK-u ka njoftuar se çmimin e importit dhe eksportit kryesisht e përcaktojnë kërkesa dhe oferta.

“Duhet të kemi parasysh faktin se në rastin kur rritet kërkesa për energji elektrike gjithashtu rritet edhe çmimi i energjisë elektrike dhe e kundërta ndodhë me eksportin, pra kur rritet oferta për energji elektrike çmimet janë më të ulëta. Lidhur me këtë ju bëjmë me dije se çmimi i importit të energjisë elektrike zakonisht është më i lartë në raport me çmimin e eksportit të energjisë elektrike, kjo për faktin se nevoja për import të energjisë elektrike shfaqet në kohën e pikut apo në kohën e konsumit maksimal (ditën), pra kohën kur ka mungesë të energjisë elektrike vendore por edhe në vendet e rajonit e më gjerë”, thuhet më tej në reagim.

Tutje Korporata ka thënë se tepricat e energjisë shfaqen edhe në vendet e Rajoni dhe jo vetëm në Kosovë.