Naser Rugova | Foto: Facebook

Reagon ish-deputeti i LDK-së: Pse nuk po ftohet mbledhja e këshillit të partisë?

Ish-deputeti i i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në LDK.

Rugova ka theksuar se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së sot është organi i vetëm me legjitimitetin e plotë të diskutojë dhe të marrë vendime për hapat e domosdoshëm që duhet t’i marrim sot.

“Pse nuk po ftohet mbledhja e këshillit? Kujt po i pengon debati i brendshëm? Normal, vetëm atyre që për të mbrojtur interesat e veta nuk e kanë dert edhe nëse na sjellin në 5%”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Rugovës, pandemia nuk është justifikim, “sepse gjatë fushatës askush nuk e ka lodhur kokën për atë punë”.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa javën e kaluar ka ofruar dorëheqjen nga kjo pozitë, pasi partia e tij u rendit e treta në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Nga kjo parti kanë bërë të ditur se do të zgjedhin një kryetar të përkohshëm për 2 vjet deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta të partisë.