Foto: KALLXO.com

Reagon Haradinaj: Manipuluesve ju uroj dënime meritore

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pas ndodhive të ditëve të fundit dhe pretendimeve se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë manipuluar votat nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në këto akuza është përfshirë edhe partia e Haradinajt AAK-ja, pasi po pretendohet se në listën zgjedhore të këtij subjeki janë vjedhur votat për t’ia mundësuar një kandidateje tjetër tëbëhet deputete.

Kurse, kretari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se manipuluesve iu uron dënime meritore.

“Të gjithë meritorët që zgjedhjet e 14 shkurtit të jenë të rregullta dhe me standarde të larta demokratike, i falënderoj nga zemra. Manipuluesit kushdo qofshin dhe për interesa të kujtdo qofshin, ju uroj dënime meritore”, thuhet në publikimin e tij në Facebook.

Ai ka ftuar organet e drejtësisë të hetojnë parregullsitë dhe të marrin masat e duhura konform ligjit.

“Pluralizmi dhe demokracia e brendshme në Aleancë janë të shenjta”, ka shkruar Haradinaj.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e ka pranuar ankesën e kandidates për deputete nga radhët e AAK-së, Florentina Gjergjaj dhe ka urdhëruar KQZ-në që të rinumërojë të gjitha votat me kusht dhe ato nga diaspora, që i ka siguruar në zgjedhje AAK-ja.

“Apeli Anr.581-2021, i paraqitur nga Florentina Gjergjaj kandidate për deputete e AAK, është pranuar dhe është urdhëruar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që të rinumëron fletëvotimet me kusht në të gjitha Komunat e Kosovës dhe të gjitha fletëvotimet nga diaspora, vetëm sa i përket kandidateve nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e PZAP-it.

PZAP urdhëron rinumërimin e votave të AAK-së, kandidatja e kësaj partie pretendon se votat i janë vjedhur nga bashkëpartiakja e saj