Reagon Edi Rama: Jam në anën e atyre që luftuan me armë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar mbi zhvillimet e sotme pasi që Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar sot se ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçit dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Kryeministri Rama ka njoftuar se gjatë ditës së nesërme do të dalë me një njoftim për të gjithë shqiptarët në lidhje me zhvillimet e sotme, derisa ka shkruar se qëndron në krahë të gjithë atyre që kanë luftuar me armë në dorë për të shprangosur Kosovën nga ferri i Sllobodan Millosheviqit.

Reagimi i plotë i Edi Ramës:

Qëkur e kam marrë lajmin e listës së Tribunalit Special dhe kam lexuar emrat e kriminelëve të supozuar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, përpiqem po nuk arrij të formuloj fjalitë e duhura për të shprehur indinjatën time!

Do të shprehem publikisht nesër me një mesazh për të gjithë shqiptarët, por jam e do të jem deri në fund, në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për ta çprangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit, duke mbyllur me gjak, nder e lavdi një histori padrejtësie historike në zemër të Europës!

RROFTË KOSOVA dhe sot më shumë se kurrë NDERIM UDHËHEQËSVE TË LUFTËS ÇLIRIMTARE

Prokuroria e Specializuar aktakuzë ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit