Reagon edhe KOSTT për reduktimet: Ka disbalancë më mes prodhimit dhe konsumit të rrymës në vend

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë (KOSTT), ka thënë se aktualisht Kosova po përballet me disbalancë në mes prodhimit dhe konsumit të energjisë elektrike.

KOSTT ka thënë se si pasojë e kësaj disbalance, janë shkaktuar devijime të theksuara ndaj sistemit interkonektiv të Evropës, gjatë javëve dhe muajve të fundit.

Për këtë arsye, sipas KOSTT-it, Qendra Koordinuese për Evropën Kontinentale në kuadër të ETNOS-E, si dhe Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), i kanë tërhequr vërejtjen Kosovës, si Zonë Rregulluese, që të ndërprejë menjëherë devijimet ndaj rrjetit evropian.

“KOSTT bën të ditur që konsumi i energjisë elektrike në Kosovë në këtë periudhë (korrik-gusht 2022) sillet nga 337 MW deri në pikun e ngarkesës prej 792 MW, ndërsa gjenerimi i përgjithshëm i energjisë elektrike në vend aktualisht është rreth 540 MQ” – thuhet tutje në njoftimin e KOSTT-it.

E me qëllim të balancimit të sistemit, në kushtet e pamjaftueshme të furnizimit sipas procedurave operative që parashihen në Kodin e Rrjetit, KOSTT ka udhëzuar që nga sot fillimin e kufizimit në furnizim, deri në stabilizim të situatës.

“Gjendja e krizës energjetike me të cilën po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës si reflektim i krizës globale energjetike kërkon mirëkuptim dhe mobilizim të të gjithë fakorëve andaj krahas angazhimit që po e bëjnë institucionet përgjegjëse, këshillohet edhe kontributi i qytetarëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale për aq sa është e mundur” – thuhet në fund të njoftimit të KOSTT-it.

Në anën tjetër, Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë, KEDS, ka njoftuar se ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispeçerike e Kosovës, pjesë e KOSTT-it, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës.

Nga sot, sipas KEDS, vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor.

Për këtë arsye, Ministria e Ekonomisë ka thënë se Qeveria e Kosovës do të ndërhyjë për të ndaluar humbjet nga vjedhjet e energjisë elektrike.

Pas fillimit të reduktimeve të energjisë elektrike, Ministria e Ekonomisë ka thënë se humbjet komerciale të shkaktuara nga vjedhjet dhe humbjet teknike të KEDS-it janë 19%. Sipas ministrisë, këto humbje ende mbulohen nga prodhimi dhe importi, por jo vet nga KEDS-i.

Ministria e Ekonomisë reagon pas fillimit të reduktimeve, kërkon që të kursehet rryma e paralajmëron ‘vjedhësit’ e saj