Reagon drejtori i shkarkuar nga Kadri Veseli

Drejtori i shkarkuar i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci e ka thyer heshtjen. Ai në një reagim të dërguar për media ka treguar se është pjesë e kryesisë së PDK-së në Drenas, por ka thënë se është fyer nga “personat që i kam përkrahur unë dhe familja ime pa kushte dhe pa asnjë interes”.

“Unë nuk e kam fshehur në asnjë moment aktivitetin tim politik, jam anëtar i kryesisë së PDK-së në Drenas dhe aktivist i kësaj partie që nga themelimi i saj. Por nuk pranoj në asnjë moment, që të fyhet emri im dhe i familjes sime me të pavërteta, nga cilido person dhe çfarë do pozite që ka ai. Por më e rëndë është, kur kjo bëhet nga personat që i kam përkrahur unë dhe familja ime pa kushte dhe pa asnjë interes, duke mos përfituar kurrë asgjë”, ka shkruar Leci.

Ai thotë se nga mediat e ka kuptuar lajmin për zgjedhjen dhe shkarkimin nga pozita e drejtorit të Muzeut. Ka thënë se i ka plotësuar kushtet dhe kriteret për tu bërë drejtor i Muzeut dhe e ka falënderuar Këshillin Drejtues të Muzeut për përzgjedhjen e tij.

Por, ai e ka kundështuar vendimin e ministrit të Kulturës dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

“Unë Ajet Leci dhe familja ime, as sot dhe as në të kaluarën, nuk kemi të bëjmë as me korrupsion dhe as me nepotizëm… Ne nuk jetojmë nga bizneset, sepse nuk kemi bërë biznese, nuk jemi marrë me korrupsion, sepse nuk jemi të korruptuar, nuk jemi marr me nepotizëm, sepse nepotizmi ëshët kundër idealeve dhe punës sonë”, ka shkruar Leci.