Reagon deputeti Halil Thaçi ndaj hulumtimit të emisionit "Kallxo Përnime", kërcënon sinjalizuesit me përballje me drejtësinë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Halil Thaçi, ka reaguar ndaj hulumtimit “Ndërhyrja e deputetit të Vetëvendosjes në shpronësimet në Shipitullë” të emisionit “Kallxo Përnime”.

Thaçi në rrjete sociale ka kërcënuar sinjalizuesit duke thënë se “do të përgjigjet para organeve të drejtësisë” për incizimin në të cilin ai dëgjohet duke thënë “në KPMM i kemi njerëzit tonë” e po ashtu ku dëgjohet duke treguar për takime jozyrtare me zyrtarë të KEK-ut dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Në emisionin “Kallxo Përnime” u transmetua një material ekskluziv në të cilin deputeti Thaçi tregon se për çështjen e shpronësimeve në Shipitullë planifikon të bëjë ndryshime në proces përmes njerëzve në KEK e KPMM.

Aty deputeti Thaçi tregon se Habib Basholli do të zgjidhet kryesues i bordit të KPMM-së para se të votoheshin anëtarët e këtij bordi në Kuvendin e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës i votoi anëtarët e bordit të KPMM-së më 16.05.2024, kurse incizimi në të cilin dëgjohet duke folur deputeti ishte bërë para kësaj date.

Ndërhyrja e deputetit të Vetëvendosjes në shpronësimet në Shipitullë

“Qaj 1 hektar e 60 ari që është hy me u shpronësu qaty, qaj ka me ra edhe ka me ju shpronësu krejt juve. Unë sot kesh me këtë drejtorin, zëvendësdrejtorin, të martën jam taku edhe me Bekirin. Na jemi t`u e prit KPMM-në që KPMM-ja me ja dhanë orientimin mihjes. KPMM-ja del në vend të ngjarjes, e konstaton që qata banorë janë në rrezik, ja prej zhurmës ja… Vijnë i këqyrin shpijat qysh janë ça e sene. KPMM-ja merr vendim që pa marrë parasysh a i duhet a s’i duhet mihjes duhet me i shpronësu. Në KPMM kryetari i bordit del Basholli, Habib Basholli, mbrëmë kam nejt me të, dy orë mbrëmë kam nejt me ta edhe unë në qet drejtim s’jam t`u u ndal. Na të mërkurën po mendojmë që kemi me emëru bordin e KPMM-së, si të emërohet bordi i KPMM-së ata ja nisin sulm, mos e keni gajle. Njerëzit tanë i kem (nuk kuptohet) na e kemi shqyrtu edhe analizu edhe me drejtorin, e vetmja mundësi është me na dhanë KPMM-ja urdhër se KPMM-ja nuk jep këshilla, KPMM-ja thotë “urdhër e ki, për me marr licencën duhet qeta, qeta, qeta, qeshtu me e ba edhe ditën e mirë. Në KPMM i kemi njerëzit tanë, i shtyna do sene, s’kanë qare” – ka deklaruar Thaçi në incizim.

Deputeti Halil Thaçi nuk pati pranuar të intervistohet për këtë çështje edhe përkundër disa kërkesave.

Në telefon ai ka thënë se me KEK-un është takuar por jo edhe me KPMM-në. Ai tha se takimet i ka pasur vetëm zyrtare.

“Jo, veç me KEK, por ku kam mund e kam ngrit zanin për ta. Se unë mendoj që i është bo diskriminim atyre banorëve, janë diskriminu sepse janë mbetë jashtë projektit të KEK-ut. Jo, jo s’jam taku unë me bordin e ri(të KPMM-së), ne veç i kemi votu në Kuvend të Republikës bordin e KPMM-së. Unë absolut nuk e kam ditë as që bëhet Habibi, jo se unë veç zyrtarisht me institucione unë komunikoj” – deklaroi Thaçi.

KALLXO.com ka kërku intervistë me kryetarin e bordit të KPMM-së, Habib Bashollin.  Ai nuk ka pranuar të flasë në intervistë para kamerës por në telefon mohoi mundësinë e takimeve jozyrtare me Halil Thaçin apo ndikimet politike në punën e KPMM-së.

“Më vjen keq por kush e përmend emrin tem, unë me nis me u përgjigj nuk kam mundësi. Shumëkush mund ta përmend emrin tem por s’e ka të ndalume. Kush e përmend, çka e përmend është çështje e tyne, nuk është e imja. Absolutisht nuk konsideroi që ka pasë ndikim as ai, as ai, as ky e as ai tjetri” – deklaroi mes tjerash Basholli.

Ushtrues detyre i kryeshefit të KEK-ut për momentin është Bekir Gërguri, një ish-kandidat i Vetëvendosjes për asamblist në Fushë-Kosovë.

www.kallxo.com