Reagon Dardan Stublla, i quan shpifje pretendimet e Albana Bytyqit për kërcënime

Bashkëshorti i Meliza Haradinaj-Stublla, ish-kryediplomates kosovare, Dardan Stublla, ka reaguar ndaj deklarimeve të deputetes së zgjedhur të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi.

KALLXO.com raportoi dje për pretendimet e deputetes Albana Bytyqi, e cila tha se ndihet e kërcënuar nga Dardan Stublla.

Por, pretendimet e saj i ka quajtur “shpifje” bashkëshorti i Meliza Hardinaj- Stubllës, Dardan Stublla.

“Në vazhdën e shantazheve ndaj meje dhe familjes sime, sapo lexova një shkrim në njërën nga portalet se znj.Albana Bytyqi më akuzon se gjoja ka pranuar mesazh kërcënues nga unë!!! Unë në asnjë formë direkte apo indirekte nuk kam kërcënuar askën e aq më pak znj në fjalë e cila po shpif për mua”, ka shkruar ai në Facebook.

Stublla ka thënë se do t’i drejtohet Ambasadës së Britanisë së Madhe për të kërkuar ndihmë, pasi ka nënshtetësi britanike.

“Kam filluar që mos ti besojë policisë dhe prokurorisë për arsyje të mos veprimit,  nesër do të i drejtohem Ambasadës Britaneze ku dhe jam shtetas të kërkojë ndihmë për shantazhet që po më bëhen nga grupet kriminale dhe nga znj. Albana Bytyqi. Thrras organet e rendit të marrin me serjozitet këtë kanosje ndaj meje dhe familjës sime”, thuhet në reagimin e tij.

Dje, Policia e Kosovës e ka ndaluar Dardan Stubllën në Bresje të Fushë Kosovës. Siç mëson KALLXO.com, forcat e rendit kishin një informacion për kërcënim nga Stublla në drejtim të familjes së deputetes Albana Bytyqi.

Këtë e ka konfirmuar vetë Bytyqi në një bisedë për KALLXO.com.

“Tash do ta bëj një deklaratë përmes Facebook, po e kemi marrë një mesazh kërcënues por do ta bëj një deklaratë publike. Në bazë të informacioneve që i kemi, jemi të kërcënuar, detajet do t’i shihni në deklaratën time publike”, ka thënë deputetja e zgjedhur Bytyqi.

Lidhur me rastin KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës. Nga zyra për media kanë thënë se forcat e rendit kanë ndaluar një veturë në Bresje të Fushë-Kosovës, por, sipas tyre prokurori i shtetit nuk ka vlerësuar se duhet iniciuar ndonjë rast.

“Lidhur me interesimin tuaj u njoftojmë policia ka ndaluar një veturë në Bresje, Fushë-Kosovë, por nuk ka inicuar ndonjë rast ndaj drejtuesit të veturës”, ka thënë shkurt Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës.

Albana Bytyqi e AAK-së: Ndihemi të kërcënuar

www.kallxo.com