Shpejtim Bulliqi, Foto: Lëvizja Vetëvendosje - Qendra Besianë/Facebook

Reagon Bulliqi për aksidentin në Podujevë: Ka qenë gërvishtje e vogël me veturë, asgjë serioze

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Komunën e Podujevës, Shpejtim Bulliqi është bërë pjesë e një aksidenti të vogël komunikacioni në Komunën e Podujevës gjatë ditës së sotme.

Në disa faqe në Facebook, qarkulluan lajme se Bulliqi kishte shkaktuar aksident zingjiror.

Mirëpo ky i fundit në një prononcim të shkurtë për KALLXO.com tha se s’bëhet fjalë për ndonjë aksident të madh.

Sipas tij, një veturë që ka qenë duke u kyçur në rrugë, është gërvishtur me veturën e tij dhe se s’ka asgjë serioze.

“Ka qenë një gërvishtje e vogël. S’ka pasur asnjë konflikt e asnjë incident. Ka qenë duke u kyçur në rrugë, duke dal prej një garazhe dhe pastaj u prek vetura ime. S’ka asgjë, kanë dashtë me të bo madhe me fotografi, po s’ka gjë hic”, tha Shpejtim Bulliqi.

Sot në Podujevë është heshtje zgjedhore, derisa nesër do të mbahen zgjedhjet për kryetar të komunës, pas dorëheqjes së Agim Veliut, i cili është emëruar ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.