Ish-senatori zviceran Dick Marty - Foto: Facebook/Cedric Wermuth
Reagon BIA: Nuk po planifikojmë të vrasim askënd
Agjencia serbe e Inteligjencës (BIA) i ka dërguar sot një letër Shërbimit Federal të Inteligjencës Zvicerane (FIS), në të cilën dënon dhe mohon ashpër pretendimet për planifikimin e vrasjes së ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.
BIA i quan “pretendime dashakeqe për përfshirjen e shërbimeve të sigurisë serbe në planifikimin e vrasjes së kujtdo” raportimet e mediave për këtë çështje.
“Në këto momente të vështira, pretendime të tilla i shkaktojnë padrejtësisht dëme të pallogaritshme Serbisë dhe reputacionit të BIA-s dhe anëtarëve të saj, të cilët janë të përkushtuar dhe profesional në kryerjen e detyrave të tyre ekskluzivisht në përputhje me ligjin. Pavarësisht nga të gjitha presionet dhe përpjekjet për destabilizimin BIA do të vazhdojë të punojë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Serbisë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në një deklarate të dorëzuar për agjencinë Tanjug, raporton B92.
Në dhjetor 2020, Marty-t iu ofrua një nivel i lartë mbrojtjeje policore. Në një intervistë për të përditshmen zvicerane, ai tha se më 18 dhjetor 2020, ka marrë një telefonatë nga policia kur i është thënë se jeta e tij është në rrezik dhe se do të vendoset nën mbrojtje të lartë policore pasi është “në shënjestër të vrasësit serb”.
Ai shpjegoi se ka qenë nën mbrojtjen më të lartë të policisë që atëherë dhe i është ofruar të ndryshojë identitetin dhe adresën, por ai nuk ka pranuar.
Në atë intervistë, Marty tha se kërcënimi me vdekje “duket se vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe”, të cilat, siç thotë ai, u kërkonin vrasësve të paguar nga nëntoka që ta vrisnin për t’ua “fajësuar shqiptarëve nga Kosova”.
Marty është autor i një raporti për Këshillin e Evropës në vitin 2010, në të cilin ai dënoi krimet e UÇK-së, duke përfshirë “shtëpinë e verdhë”; pra trafikimi i organeve. Ndaj Hashim Thaçit, i cili aktualisht po gjykohet në Hagë, ka nisur një hetim.