Reagon BE: Likaj injoroi kriteret e AKA-së për rritjen e numrit të studentëve të Mjekësisë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar pas vendimit të ministrit të Arsimit, Ramë Likaj për rritjen e numrit të studentëve të pranuar në Fakultetin e Mjekësisë.

Zyra e BE-së në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se Likaj nuk i ka përfillur kriteret e Agjencisë së Akreditimit.

“BE e kupton që kriza COVID19 është serioze dhe kërkon veprim, përfshirë rritjen e kapacitetit të sistemit shëndetësor. Sidoqoftë, kjo duhet të bëhet duke respektuar rregullat ekzistuese dhe me planifikim dhe buxhetim të kujdesshëm. Agjencia e Akreditimit e Kosovës është institucioni i vetëm që siguron që kriteret kryesore të sigurimit të cilësisë të zbatohen në institucionet e arsimit të lartë. Një kriter i tillë që Agjencia shikon nga afër është numri i studentëve që një institucion mund të akomodojë bazuar në numrin e stafit mësimor, infrastrukturën ekzistuese. Vendimi i Ministrit, si nga koha ashtu edhe nga përmbajtja, nuk i përfill këto kritere. etj”, është bërë e ditur.

BE po ashtu shpreson që Likaj do të reflektojë për pasojat e vendimit të tij.

“Shpresojmë që Ministri të reflektojë në pasojat që vendimet e tij do të kenë mbi cilësinë e arsimit të ofruar nga ky fakultet dhe akreditimin e tij në të ardhmen, mbi zbatimin e marrëveshjeve të politikave me Bashkimin Evropian dhe më e rëndësishmja në përpjekjet e Agjencisë për rianëtarësim në Shoqatën Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrin Evropian të Sigurimit të Cilësisë (EQAR), të cilin e humbi në 2017 për shkak të ndërhyrjeve politike”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Në fund Bashkimi Evropian thotë se  i kushton shumë rëndësi cilësisë së arsimit.

“Kjo karakterizohet dukshëm në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Agjendën Evropiane të Reformës dhe Programin e Reformës Ekonomike. Nën secilin nga këto dokumente, ka zotime të qarta të marra nga autoritetet e Kosovës kur bëhet fjalë për sigurimin e arsimit cilësor”, thotë BE.

Ditë më parë, ministri i Arsimit, Ramë Likaj e ka përkrahur propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2020/21

Si arsyetim Likaj ka thënë se këtë vendim e ka marrë pas kërkesës së ministrit, Armend Zemaj, Komisionit për Arsim dhe Shkencë, derisa ka shtuar se është konsultuar me Agjencinë e Akreditimit dhe Këshillin Shtetëror të Cilësisë për vendimin e tij.

Por, një gjë e tillë u mohua nga ana e KShC-së dhe anëtarëve të Komisionit për Arsim, që po ashtu u kundërshtua nga ana e dekanes së Fakultetit të Mjekësisë, rektorit të UP-së, Naser Sahiti dhe nga shoqëria civile.

Likaj ia aprovon kërkesën Zemajt për rritjen e numrit të studentëve në Mjekësi