Foto: Rilind Berisha/facebook

Reagon avokati i Rilind Berishës për ftesën nga Gjykata Speciale

Në fillim të muajit, KALLXO.com kishte raportuar se Rilind Berisha, zyrtar në Ministrinë e Drejtësisë është ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale, e specializuar për krimet e luftës në Kosovë.

Për ftesën qe i është bërë nga Gjykata Speciale ka reaguar edhe avokati i tij, Besnik Berisha, duke sqaruar arsyet e ftesës nga Gjykata Speciale.

“Rilind Berisha nuk është ftuar e as marrë në pyetje nga Prokurori i Specializuar për asnjë shkelje ligjore, e as për rrjedhën e informacionit ne mënyrë te jashtëligjshme, siç është raportuar në media. Intervistimi i  Berishës nga Prokurori i Specializuar është bërë në cilësinë e dëshmitarit dhe ekskluzivisht lidhet me fushë veprimtarinë e zyrës qe koordinon procesin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave që mund të jenë të akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara”, ka shkruar Berisha.

Avokati ka bërë të ditur se klienti i tij ka përmbushur detyrimin e tij qytetar për t’iu përgjigjur ftesës së Prokurorit të Specializuar dhe sipas tij njëjtë do të veprojë edhe në të ardhmen, në rast se paraqitet ndonjë kërkesë e tillë.

KALLXO.com kishte raportuar për ftesën që i është bërë Rilind Berishës nga Gjykata Speciale.

“Me datë 18.07.2019 kam marrë ftesën ma të befasishme në jetën time. Më 5 gusht duhet të paraqitem para Gjykatës Speciale në Hagë”, kishte njoftuar Berisha.

Ai tutje kishte shkruar se nuk e di arsyen për të cilën do të intervistohet nga Gjykata Speciale.

“Nuk e di arsyen për të cilën do të intervistohem, nëse veç mund ta përdorim termin arsye për këtë gjykatë krejtësisht të paarsyeshme”, kishte shkruar Berisha.

Muajve të fundit në Hagë janë ftuar shumë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo vetëm. Kjo duke përfshirë, kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj.