Arban Abrashi, LDK - Foto: KALLXO.com

Reagon Arban Abrashi: Qëllimi i Kurtit është lufta kundër LDK-së

Deputeti i LDK-së, Arban Abrashi, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Brendshëm.

Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, Abrashi ka thënë se Kurti e dëshmoi se qëllimi i tij është lufta kundër LDK-së, e jo kundër kapjes së shtetit.

Abrashi ka shkruar se në fillim Kurti ishte kundër presidentit Rugova, e tash kundër partisë së tij.

“Lufta e z.Kurtit ndaj LDK vetëm ka ndryshuar formën, është duke u bërë me dinake dhe plot gënjeshtra. Kurti nuk ka problem vetëm me z.Veliu, por ka problem edhe me LDK-në në Podujevë. Sot Kurti po sulmon LDK ne Podujevë, njejtë nesër do të sulmoj LDK-në në Gjilan, Pejë, çdo kund tjetër”, ka shkruar Abrashi.

Sipas tij, Kurti po beson se shkatërrimin e LDK-së mund ta bëjë duke përçarë nga brenda LDK-në, duke llogaritur në ‘apetitet e disa personave brenda LDK-së’.

“Prandaj, z. Kurtin e keni dëgjuar me dinakri që një ditë të lavdëron dikend nga LDK-ja, dhe ditën tjeter të sulmoj dikën tjetër. Kjo në fjalë popullor do të ishte e barabartë me “Të vran natën e të qan ditën”, ka shkruar Abrashi në ‘Facebook’.

Në fund të reagimit, Abrashi ka thënë se kundër veprimeve të kryeministrit Kurti duhet të ngritën edhe qytetarët e Kosovës, përveç anëtarëve të LDK-së.

Ky është reagimi i plotë i Arban Abrashit:

Frikë JO, Kujdes PO

“Albin Kurti me veprimin e sotëm të shkarkimit të Ministrit Agim Veliu, edhe njëherë dëshmoi se qëllimi i tij është lufta kundër LDK-së dhe jo lufta kundër kapjes së shtetit. Ne fillim z. Kurti ishte kundër Presidentit Rugova, por në pamundësi të luftoj figurën e Presidentit Rugova, tash z. Kurti ka zgjedhur të luftoj partinë e tij, pra duke goditur LDK-në.

Lufta e z.Kurtit ndaj LDK vetëm ka ndryshuar formën, është duke u bërë me dinake dhe plot gënjeshtra. Kurti nuk ka problem vetëm me z.Veliu, por ka problem edhe me LDK-në në Podujevë.

Sot Kurti po sulmon LDK ne Podujevë, njejtë nesër do të sulmoj LDK-në në Gjilan, Pejë, çdo kund tjetër. Kurti ka problem me LDK-në, jo veç me personat brenda LDK-së, ashtu siç ka problemet e tij ideologjike me Presidentin Rugova dhe me veprimet shtetndërtuese të LDK-së gjatë gjithë periudhës.

Kurti po beson se shkatërrimin e LDK-së, mund t’a bëjë duke përçarë nga brenda LDK-në, pra duke llogaritur në apetitet e disa personave brenda LDK-së të cilët mund të shohin ndonjë oportunitet në ngritjen e tyre karrieriste brenda LDK-së, e që në të ardhmen do t’i shërbejnë atij.

Prandaj, z. Kurtin e keni dëgjuar me dinakri që një ditë të lavdëron dikend nga LDK-ja, dhe ditën tjeter të sulmoj dikën tjetër. Kjo në fjalë popullor do të ishte e barabartë me “Të vran natën e të qan ditën”

Sot kundër veprimeve të z.Kurti duhet të ngritën jo vetëm të gjithë antarët e LDK-së, por edhe qytetarët e Kosovës. Kurti sot është kundër LDK-së, pikërisht pasi që është LDK-ja ajo që po ja pa-pamundëson z. Kurti që Kosova të prishë marrëdhëniet me SHBA-të

Frikë JO, Kujdes PO”.