Reagon Ambasada britanike për tubimet zgjedhore me shumë njerëz

Ambasada britanike në Kosovë ka reaguar në lidhje me tubimet e partive politike që po mbahen në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Ambasada ka kritikuar formën e mbajtjes së këtyre tubimeve, në të cilat po marrin pjesë shumë persona.

Sipas reagimit, pandemia ende nuk ka përfunduar dhe tubimet me shumë njerëz janë shqetësuese.

“Me miqtë dhe familjen tonë përsëri në Mbretërinë e Bashkuar nën bllokim, ne e dimë shumë mirë se kjo pandemi nuk ka mbaruar dhe ne nuk duam të shohim përsëri të njëjtën gjë për miqtë tanë këtu në Kosovë. Këto zgjedhje janë të rëndësishme, por disa nga fotografitë që kemi parë të tubimeve të mëdha dhe takimeve ku nuk respektohet distanca sociale kanë qenë shqetësuese”, thuhet në reagim.

Tutje, Ambasada u ka bërë thirrje partive që të respektojnë masat për mbrojtje nga COVID-19 gjatë fushatës zgjedhore.

“Ne kërkojmë nga të gjitha partitë dhe mbështetësit e tyre të respektojnë kufizimet e Covid tani që periudha zyrtare e fushatës ka filluar. # Ora e Zgjedhjeve”, thuhet më tej.

Të mërkurën në Kosovë ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore, e cila do të zgjasë deri më 12 shkurt.

Tubime me shumë njerëz kanë organizuar pothuajse të gjitha partitë në vend edhe para fushatës zgjedhore por edhe gjatë fushatës.

Sipas masave të miratuara nga Qeveria e Kosovës më 15 janar ndalohet grumbullimi i më shumë se 30 personave brenda një hapësire të mbyllur.

“Në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 50 persona me përjashtim rasteve të lejuara me këtë vendim”, thuhet në pikën 24 të vendimit të Qeverisë.

Në anën tjetër, Policia vazhdon të gjobisë qytetarët për mosmbajtje të maskës apo për shkelje të tjera të parapara me Ligjin COVID-19.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me shkeljen e masave COVID-19 nga partitë politike.

Partitë politike mbajnë tubime, shkelin masat qeveritare për mbrojtje nga COVID-19

.