Reagojnë zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë të akuzuar nga Prokuroria Speciale

Sekretari i Ministrisë së Bujqësisë, Kapllan Halimi, dhe Kryeshefi i Agjencisë për Zhvilimin e Bujqësisë (AZhB), Ekrem Gjokaj,  kanë reaguar pasi Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas reagimit, thuhet se mbështetja e sektorit të bujqësisë dhe masat për infrastrukturën rurale janë me bazë në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021.

Sipas tyre, në këtë plan për reforma ekonomike është sqaruar në detaje e gjithë përkrahja e këtyre masave dhe po ashtu në udhëzues jepet edhe kostingu për këto masa.

“Bëjmë thirrje që të shikohen në hollësi, si SKZH 2016-2021, po ashtu edhe Plani për Reforma Ekonomike për vitet 2017, 2018 dhe 2019. Gjithashtu, program të ngjashëm, si ky për të cilin tashmë thuhet se është në kundërshtim me ligjin, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka pasur edhe në vitin 2013”, thuhet në reagimin e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë.

Tutje në reagim thuhet se Ministria me qëllim për t’i ikur çfarëdo konflikti ka pyetur Agjencinë Kundër Korrupsionit, për të parë se a është në kundërshtim me ligjin, të cilën kjo agjenci e ka mohuar dhe është vazhduar me procedura të tjera.

“Vendimi për përcaktimin e grupit punues për këtë program, ku në përbërje kanë qenë drejtorët e departamenteve, pra niveli më i lartë i shërbimit civil kanë pasur për qëllim të kontrollojnë dhe shqyrtojnë të gjitha çështjet e hapura, duke u bazuar gjithmonë në dokumentet strategjike të Qeverisë, si dhe udhëzuesve ku përcaktojnë një plan dinamik të implementimit dhe kosto të qartë financiare”, thuhet në reagim.

Në fund të reagimit, sekretari Halimi dhe kryeshefi Gjokaj e konsiderojnë vetën të pafajshën dhe thonë se janë të befasuar me këtë aktakuzë.

Sot gjatë ditës, Prokuroria Speciale njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj ish ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo dhe 7 zyrtarëve të tjerë të ministrisë, përfshirë këtu edhe Kapllan Halimin dhe Ekrem Gjokaj, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Rikalo i çon 2 milionë euro në Mitrovicën e Veriut