Testimet në urën e Ibrit, 08.08.2024, foto: KALLXO.com
Reagojnë disa OJQ serbe për arrestimin e dy aktivistëve serbë tek ura e Ibrit
Iniciativa e Re Sociale ka kërkuar lirimin e aktivistëve të Demokracisë Serbe, Alleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Velkoviq.
Në reagim thuhet se “u përdor forcë e tepruar nga Policia.”
“Mbulimi i simboleve kombëtare, përdorimi i të cilave garantohet nga ligji dhe kushtetuta, i shoqëruar nga prania e policisë, tregon se qëllimi i autoriteteve ishte vetëm provokimi dhe shqetësimi i publikut” – thuhet në reagim.
Tutje në reagim takimi i mbajtur me qytetarë në Komunën e Mitrovicës së Veriut quhet “gjoja diskutim publik me qytetarët”.
Këtij reagimi i janë bashkëngjitur edhe NGO ‘Aktiv’ , ACDC, CASA dhe InTER.
Për arrestimin e Arsenijeviqit, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elashani ka folur në takimin me qytetarë që po mbahet në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Elshani tha se kanë raporte të mira me secilin qytetar apo pjesëtar të shoqërisë civile në veri të vendit, në këtë rast edhe me të arrestuarin Arsenijeviq.
Ai shtoi se do të shohin çfarë ka ndodhur, por “na nuk largojmë flamur. Nëse largojmë flamur, e qesim tonin”.
“Aca (Aleksandri) është pak i ngushtëm, i vrullshëm, po e kqyrim këtë situatë por flasim me të, tejkalohet edhe kjo. Ai se ka vra kërkon. Na kur kemi ardh këtu në maj 2023, kemi vendos tetë flamura të Kosovës. Në stacione policore katër, edhe në komuna katër. Ata flamura qëndrojnë aty”- tha Elshani gjatë takimit që po mbahet në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut.
Ndër të tjera, Elshani tha se nëse kishin shprehur dëshirën ta largojnë flamurin prej Zveçanit “e kishim hjek moti”, por nuk kanë insistuar.
“Mirëpo janë institucionet e shtetit të cilat e kan përgjegjësinë e vet, për shembull Ministria e Kulturës, apo trashëgimia kulturore merret me një temë, atëherë na intervenojmë. Deri më tani nuk na është kërkuar”- shtoi ai.