Shkolla Fillore "Pjeter Bogdani", Prishtine, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Reagimi i shkollës ku dyshohet se ka ndodhur ngacmimi seksual ndaj miturës

Udhëheqja e shkollës në Prishtinë ka reaguar pas publikimit të lajmeve për ngacmimin seksual ndaj një vajze të mitur në oborrin e shkollës nga tre djem, po ashtu të mitur.

Në reagim thuhet se janë njoftuar instancat kompetente dhe rasti është duke u trajtuar.

“Rasti është i ditur për drejtorinë e shkollës, me ç’rast janë ndërmarrë të gjitha veprimet konform protokollit arsimor. Njëkohësisht janë njoftuar të gjitha instancat kompetente për trajtimin e rastit, përfshirë Policinë e Komunitetit dhe Qendrën për Punë Sociale, të cilët e kanë trajtuar rastin. Sipas udhëzimeve të prokurorisë, marrë parasysh moshën e fëmijëve, kërkohet që rasti të trajtohet me konfidencialitet  të plotë dhe në formë profesionale”, thuhet në reagim.

Tutje, udhëheqja e shkollës ka kërkuar nga mediat që të kenë kujdes në raportimin e rastit dhe të mos shpërfaqin të dhëna sensitive që mund të rëndojnë situatën e fëmijëve.

Dje është raportuar për ngacmimin seksual ndaj një vajze të mitur në oborrin e një shkolle  nga tre djem, po ashtu të mitur.

Ndërsa sot Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka kërkuar nga mediat të heqin videon ku shihet rasti i pretenduar.