Blerim Vela

Reagimi i shefit të kabinetit të presidentes ndaj raportimeve të mediave, AGK e quan të papranueshme gjuhën e tij

Shefi i kabinetit të presidentes, Vjosa Osmani, Blerim Vela ka reaguar lidhur me pretendimet e fundit se Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë Osmanin nga posti i presidentes.

Vela ka thënë se këto pretendime janë synim perfid për t’i bërë presion gjykatës dhe të për të krijuar huti në publik.

Ai ka thënë se skenarët për të shkaktuar kriza institucionale në Kosovë janë skenar i Serbisë.

“Dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirre ‘në burime brenda Gjykatës’, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve”- ka thënë ai përmes disa postimeve në Twitter.

 

Lidhur me këto deklarata të Velës, ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e quajtur të papranueshme dhe të rrezikshme gjuhën e përdorur nga Vela.

“Vela në një postim skandaloz në Twitter, thotë se raportimet e medieve të Kosovës “janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhën në listën e zezë të SHBA-së”. Kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme që rëndon ambientin e punës së gazetarëve në Kosovë”- thuhet në reagimin e AGK-së.

Sipas AGK-së, deklarata e tij është vazhdimësi e sulmeve të Velës ndaj medieve.

Disa minuta pas reagimit të AGK-së, shef i kabinetit të presidentes, Vjosa Osmani ka reaguar përsëri përmes një postimi në Twitter.

Vela ka thënë se reagimi i tij nuk ka të bëjë me mediat, por me shpërndarësit e dezinformatave.

“Media të nderuara, reagimi im ka të bëj me shpërndarësit e dezinformatave, porse jo me mediat, të cilat e kanë të drejtën e tyre për raportim të lirë. Mediat e lira janë themel i demokracisë. I inkurajoj që ta zbërthejnë mëtej kush janë porositësit e dezinformatave”- ka thënë ai.

Mediat raportuan se Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë Presidenten pasi ish-kandidati për deputet nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha i cili është në pritje të një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese në ankesën me pretendime se i janë shkelur te drejtat gjatë zgjedhjeve të vitit 2021.