Ilustrim

Reagimi i policisë për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka bërë të ditur se janë duke i hetuar sulmet ndaj gazetarëve në Leposaviq.

 Sot, situata e sigurisë në veri të vendit ka qenë e brishtë, por kryesisht e qetë, përjashtuar në komunën e Leposaviqit ku kohë pas kohe është tensionuar, pasi protestuesit/grupet kriminale, kanë penguar dhe sulmuar me gjësende të ndryshme, të forta gazetarë të mediave të  ndryshme”- thuhet në komunikatën e PK-së.

PK ka thënë se disa vetura të mediave, të cilat kanë qenë të parkuara në lokacione të ndryshme, janë sulmuar dhe dëmtuar nga mjetet e forta të hedhura brenda dhe jashtë veturave.

Në orët e pasdites, protestat pran objekteve të tri komunave në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan kanë përfunduar, përjashtuar një numër i vogël i protestuesve vazhdojnë të qëndrojnë pranë komunës së Leposaviqit. Monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucionet relevante të sigurisë kanë vazhduar në të gjitha lokacionet”- thuhet në komunikatë.

Dje dhe sot ekipet e mediave të cilat po raportojnë nga komunat në veri janë përballur me sulme nga protestuesit.

Protestuesit kanë gjuajtur me mjete të ndryshme në drejtim të gazetarëve si dhe kanë shtyrë fizikisht ata.

Në vazhdimësi AGK-ja ka dënuar rastet e tilla ndërsa për sulmet ndaj gazetarëve dhe dëmtimit të veturave të tyre ka reaguar dje edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zhvillimet e fundit në veri