Reagimi i ministres së Drejtësisë pasi Kuvendi miratoi Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës që u miratua nga Kuvendi i Kosovës sot, më 11.07.2024.
Votimi, sipas ministres, erdhi pas “një maratone të shoqëruar me jo pak sfida e pengesa”.
“Reforma e shumëpritur, do ta ri-organizojë Këshillin Prokurorial – me eliminim të korporatizmit dhe grupeve klanore në Këshill, e me rritje të llogaridhënies, integritetit dhe profesionalizmit në sistem”- ka thënë ajo.
Sipas saj, ndryshimet e votuara në lexim të dytë janë bërë në pëputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut e me aktgjykimin e Kushtetueses.
“Ndryshimet e votuara sot në lexim të dytë në Kuvend, janë bërë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venedikut, por edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”- tha tutje Haxhiu.
Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Të pranishëm gjatë votimit të këtij Projektligji ishin vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka propozuar që të hiqen nga rendi i ditës i seancës së sotme [11.07.2024], Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Projektligji për Zyrtarët Publikë.
Megjithatë ky mocion përmbajtjesor nuk kaloi pas kundërshtimit të partisë në pushtet- LVV.
Në parim ky Projektligj është votuar në mars të këtij viti.
Qeveria e Kosovës më 12.07.2023 pati marrë vendim për plotësim-ndryshim të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, pati deklaruar se pret që drafti të përputhet me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Ne presim që drafti të përputhet plotësisht me rekomandimet e Komisionit të Venecias para miratimit të ligjit”- pati shkruar Szunyog në rrjetin social “X”, më 07.03.2024.
Sipas memorandumit shpjegues, ky Projektligj synon eliminimin e mangësive ligjore të identifikuara, në mënyrë që KPK t’i ushtrojë kompetencat kushtetuese dhe ligjore të përmendura më lartë.
Në mars të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kushtetuesja ka konstatuar se disa nene të këtij Ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Ligji për KPK-në ishte miratuar në lexim të parë në prill të vitit të kaluar, ndërkaq në lexim të dytë në qershor të vitit të kaluar.