Arbërie Nagavci

Reagimi i ministres së Arsimit pas pezullimit të grevës nga SBASHK-u

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka mirëpritur vendimin e mësimdhënësve që nga e hëna të fillojë procesi mësimor.

Nagavci ka thënë se duhet të merren të gjitha masat që të hënën gjithçka të jetë gati për të filluar mësimin.

Ajo ka thënë se Kalendari i Vitit Shkollor duhet të ndryshohet.

“Kalendari i Vitit Shkollor duhet të ndryshohet, andaj menjëherë të hënën, dt.3 tetor, do të formojmë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ. Do të vazhdojmë punën me intensitet të shtuar në përmirësimin e legjislacionit për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës dhe realizimin e shtesës së performancës”-ka thënë ajo.

Ajo ka thënë Qeveria dhe Ministria e Arsimit do të vazhdojë ta kenë në vëmendje përmirësimin e kushteve të punës në çerdhe e shkolla, ofrimin e mundësive të barabarta për nxënësit e studentët.

“Në këtë drejtim, tashmë kemi ndërmarrë një varg veprimesh konkrete dhe nuk do të ndalemi me kaq. Në Projektligjin e ri për Paga punëtorët e arsimit për herë të parë janë trajtuar dinjitetshëm dhe do të kenë koeficientin më të lartë se që e kanë pasur ndonjëherë”-ka shtuar ajo.

Nagavci tutje ka shtuar se MASHT mirë presimin dialogun social e bashkëpunimin e sinqertë, ashtu si urojmë që për të gjithë interesi më i mirë i fëmijëve të jetë në radhë të parë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar zyrtarisht të shtunën se kanë pezulluar grevën e filluar më 25 gusht në administratën publike dhe arsim deri në janarin e vitit 2023.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se greva nuk do të ndërpritet por do të pezullohet.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që ta shfrytëzojë pezullimin e grevës dhe të reflektojë.

“Qeveria vazhdoi t’i injorojë kërkesat dhe na mbeti e vetmja mënyrë greva, e cila filloi me 25 gusht duke i dhënë qeverisë një mundësi për dialog.  Si këshill grevist i BSPK dhe SBASHK jemi të obliguar të veprojmë sipas vendimit të shumicës.  Qeveria dhe opinioni le ta din që greva nuk po mbyllet por po pezullohet deri në janar e vitit 2023.  Këtë rezultat e shton deklarimi i shoqatave tjera sindikale qe nga raporti i tyre thuhet se nga 25 shoqata sindikale 24 janë deklaruar pro pezullimit të grevës”, ka deklaruar Jasharaj.

Gjithashtu, Sindikatat kanë kërkuar që Qeveria t’i realizojë premtimet për Ligjin e Pagave.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) më 25 gusht ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend.

BSPK-ja ka thirrur grevën deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve nga Qeveria e Kosovës. Në grevë kanë hyrë administrata komunale e institucione të tjera të vendit.

Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim- ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në 2014-ën janë tri kërkesat e sindikalistëve.

Pezullohet greva deri në janar 2023