Foto: Lidhja Demokratike e Kosovës/ Facebook

Reagimi i LDK-së ndaj largimit të masës mbrojtëse për bllokat nga Serbia

Departamenti për Ekonomi dhe Biznes i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj vendimit të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për shfuqizimin e masës mbrojtëse antidamping për bllokat me dimensione 19x19x25 të importuar nga Serbia.

LDK-ja ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë rrëzonte kamionet që vinin nga Serbia, tani në pushtet, sipas tyre LVV mirëpret materialin ndërtimor nga Serbia dhe heqë barrierat që kishin vënë qeveritë paraprake.

“Erdhën në pushtet duke i mashtruar qytetarët, duke proklamuar se Kosova i është nënshtruar ekonomikisht Serbisë e se Qeveritë e kaluara të Kosovës ishin tradhtarë për këto veprime. Por, sapo erdhën në pushtet, shfuqizuan masën mbrojtëse të vitit 2016 për prodhuesit vendor të materialeve ndërtimore dhe ju hapën prodhuesve nga Serbia dyert e tregut të Kosovës. Partia që para pak muajsh deklaronte se në ditët e para të qeverisjes do të vendosnin reciprocitet të plotë me Serbinë, tani në pushtet po i largon të gjithat masat mbrojtëse ndaj Serbisë”, thuhet në reagim.

Kjo parti tutje ka theksuar se është i papranueshëm, nëse jo dhe qesharak, arsyetimi i Qeverisë se afati i vendimit të vitit 2016 ka skaduar dhe se do të bëjnë një hetim tjetër për të vendosur prapë këtë masë.

“Pse Qeveria dhe ministria nuk e bënë këtë hetim më herët  dhe mandej ta marrin vendimin. Kanë pushtet absolut në Qeveri dhe shumicë në Kuvend. Kanë fuqinë politike dhe numrat e mjaftueshëm të nxjerrin vendime të reja që mbrojnë prodhuesit vendor dhe, nëse është nevoja, të ndryshojnë ligje në Kuvend”, thuhet mes tjerash në reagim.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala e ka quajtur skandaloz vendimin e ministres aktuale të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për shfuqizimin e masës mbrojtëse antidamping për bllokat me dimensione 19x19x25 të importuar nga Serbia.

Shala në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se vendimi ka qenë i bazuar në ligj dhe në marrëveshjen për tregti të lirë – CEFTA.

“Ky është skandal. Këta janë hipokritë. Ky ka qenë vendim i bazuar në ligj, i bazuar edhe brenda marrëveshjes së CEFTA-s. Ka qenë masë antidamping edhe masë e cila i ka ndihmuar prodhuesit vendorë që në këtë rast tjegullat e blloqet e tjera të mos hyjnë me masa dampingut dhe të dëmtojnë tregun e Kosovës por të ndihmohen prodhuesit kosovarë”, ka shtuar ai.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka dalë me një arsyetim në lidhje me vendimin për shfuqizimin e masës mbrojtëse antidamping për bllokat me dimensione 19x19x25 të importuar nga Serbia.

Ajo ka theksuar se e kanë shfuqizuar vendimin pasi  më datë 7 korrik 2021 sipas afateve ligjore janë bërë 5 vite të zbatimit të kësaj mase, e që sipas saj, vendimi i marrë 7 korrik 2016 nuk e specifikonte afatin prej 5 vitesh ashtu siç parashihet me ligj.

“Nëse konstatohet se një import i tillë vazhdon së atakuari përsëri prodhuesit vendor me shitjen e produktit nën vlerën normale, atëherë ne nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të marrim vendim menjëherë për hapjen e një hetimi zyrtar ashtu siç parashihet me nenin 29 të këtij ligji dhe nëse analizat përfundimtare konstatojnë se po vazhdon çmimi damping në tregun e Kosovës, ne nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vendosim përsëri masën mbrojtëse antidamping për bllokat 19x19x25 nga Serbia”, ka shkruar ajo në Facebook.

Vendimin e ministres Hajdari mund ta gjeni në këtë LINK.
 

https://kallxo.com/lajm/arsyetimi-i-ministres-per-shfuqizimin-e-mases-mbrojtese-antidamping-per-bllokat-e-importuar-nga-serbia/