Vërshimet në Gjilan - Foto: Komuna e Gjilanit

Reagimi i Hotit pas stuhisë: Me gjithë dëmet, situata është nën kontroll

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria e drejtuar prej tij ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet e sontme.

“Janë mobilizuar të gjitha shtabet emergjente lokale, ndërkohë që edhe Policia e Kosovës, Njësitë Profesionale të Kërkim-Shpëtimit dhe Zjarrëfikësit janë në gjendje gatishmërie”, ka shkruar Hoti në Facebook pak pas mesnatës.

“Për fat, me gjithë dëmet materiale, në tërë vendin gjendja është nën kontroll”, ka shtuar ai.

Rajone të ndryshme të Kosovës janë përballur me erëra të forta e reshje shiu e breshri mbrëmjen e së martës.

Stuhia ka shkaktuar dëme të shumta, ndërkohë që në disa fshatra të Vushtrrisë ka pasur vërshime.

Ekipi i KALLXO.com është në këto fshatra, ku lumenjtë kanë dalë nga shtrati, duke vërshuar edhe shtëpi, me ç’rast janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme.