Përleshje mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan. FOTO: Screenshot REL.

Reagimi i Gjermanisë pas sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka dënuar fuqishëm sulmet e dhunshme në veri të Kosovës që lanë të plagosur dhjetra ushtarë të KFOR-it dhe disa qytetarë.

“Dënojmë fuqishëm sulmet e dhunshme të papranueshme në veri të Kosovës pasditen e sotme, duke shkaktuar plagosjen e dhjetëra ushtarëve të KFOR/NATO-s dhe disa civilëve. Mendimet tona janë me të lënduarit, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë”- thuhet në deklaratë.

Tutje, në këtë deklarim për media bëhet thirrje për depërshkallëzim urgjent të situatës dhe që Kosova e Serbia të punojnë në zbatim të marrëveshjes për normalizim, përfshirë Asociacionin.

“U bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo dhune dhe të çdo veprimi që ndez tensionet. De-përshkallëzimi tani nevojitet urgjentisht. I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në bisedime për këtë qëllim pa ndonjë vonesë të mëtejshme dhe të vazhdojnë të punojnë në zbatimin e Marrëveshjes për normalizim, të arritur në shkurt dhe mars, duke përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”- thuhet më tej në këtë deklaratë.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë thekson se mbështesin plotësisht Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajçak në përpjekjet për të ulur tensionet.

Situata në veri – Pamje