Reagimi i avokatit: Dënimet po promovojnë sulmet ndaj gazetarëve 

Publikimi i BIRN i cili tregon që gjykatat nuk i ndëshkuan me rrethana rënduese sulmuesit e gazetarëve, ka ngjallur edhe reagime në komunitet.

Avokati Arianit Koci i cili ka në përfaqësim një numër të madhe të rasteve ku janë të përfshirë gazetarët, thotë se këto dënime janë duke promovuar dhunën.

Koci për KALLXO.com tha se me dënime që po shqiptohen me rastin e sulmeve fizike dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, realisht në një formë po stimulohet vazhdimi i sulmeve.

Sipas Kocit të disa sulmues, po krijohet përshtypja që sulmet ndaj gazetarëve janë të barabarta me kundërvajtjet në komunikacion.

“Një qeveritari apo biznesmeni, nuk i kushton asgjë të tentoj ta ndal hulumtimin, apo ekspozimin e ndonjë afere korruptive, për 300 euro dënim” – shtoi ai.

Si përfundim ai tha se duhet ashpërsuar dënimet në mënyrë që patjetër të dërgohet porosia që askush nuk mund ta ndalë informimin e publikut, për çështje të rëndësishme për publikun.

BIRN publikoj një raport me të dhëna shqetësuese për mënyrën se si gjykatat i kanë trajtuar sulmet ndaj gazetarëve.

Raporti konstatoj që gjykatat nuk i morën rrethanat rënduese për ti ndëshkuar kryerësit e sulmeve ndaj gazetarëve.

Pas publikimit të këtij hulumtimi ka reaguar edhe kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci dhe pjesëtar të tjerë të OJQ-ve dhe sistemit të drejtësisë.

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian.