Ilustrim

Reagimet pas hulumtimit të BIRN-it për lobimin për ndryshimin e kufijve

Hulumtimi i BIRN-it se në vitin e kaluar paratë e taksapaguesve u përdorën për të lobuar për ndryshim të kufijve, ka nxitur reagime të shumta nga politikanë e diplomatë dhe jo vetëm.

Hulumtimi zbardhi se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Europiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi. Asokohe, kjo ministri drejtohet nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Ndërkohë që për një veprim të tillë, Jasmin Mujanoviq, analist politik, specializant i shkencave politike për politikën e Europës Juglindore tha se ndoshta kjo mund të jetë hera e parë në histori që një qeveri paguan lobistë për ndarje të territorit.

Mujanoviq përmes një postimi në Twitter e quajti edhe shqetësues dhe imazh të keq për presidentin Hashim Thaçi.

“Ky është një shkrim i egër dhe shqetësues, dhe ndoshta hera e parë në histori që një qeveri, në këtë rast e Kosovës- ka punësuar lobistë të huaj për të bindur bashkësinë ndërkombëtare për ndarje të territorit të saj. Kjo me të vërtetë është një pamje e keqe, për presidentin Thaçi,” u shpreh Mujanoviq.

Përveç kësaj, edhe gazetari dhe korrespodenti i ‘The Economist’ Tim Judah, në Twitter u shpreh se nga përvoja që ka me politikat në Ballkan këto kompani lobuese janë totalisht të padobishme.

“Storje e shkëlqyeshme nga Jeta Xharra. Do doja të ju bëja me dije të gjithë liderëve të Ballkanit. Gjatë gjithë viteve të mia në mbulimin e politikave në Ballkan mund t’ju them se këto kompani promovuese janë totalisht të padobishme. Ato do ju harxhojnë paratë dhe nuk do prodhojnë asgjë vetëm nëse jeni duke marrë një të ‘shtyrë nga mbrapa”, u shpreh Judah.

Kurse Ditmir Bushati, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme e quajti të tmerrshme dhe se sjellja e kësaj teme në tavolinë të diskutimeve dobëson Kosovën ndërkombëtarisht.

“Shpalosje e një storje të shëmtuar nga Jeta Xharra. Sjellja e temës për shkëmbim territoresh në tavolinë dhe drejtimi i gjithë procesit se si Serbia duhet të kompensohet për t’i dhënë fund konfliktit me Kosovën përmes një njohje eventuale si shtet, dobëson pozicionin e Kosovës si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht”, u shpreh Bushati në rrjetin social “Twitter”.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt reagoi ndaj hulumtimit të Jeta Xharrës, i cili tregonte prapaskenat e një kontrate të Ministrisë së Integrimeve Europiane me një kompani franceze në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

“Çfarë storje. Vërtet të bën të mendosh rreth definicionit për shërbimin publik për njerëzit dhe vendin”, shkroi ambasadori Heldt në Twitter.

Por, ndaj këtij hulumtimi ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e cila pritet të formojë qeverinë e re bashkë me AAK-në dhe Nisma – parti të cilat ishin pjesë e qeverisë PAN.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në rrjetin e saj social Twitter u shpreh se qeveria e kaluar ka paguar për të shpërblyer Serbinë me territor të Kosovës dhe se disa prej këtyre që e bën këtë turp duan të kthehen në qeveri.

“Qeveria e kaluar shpenzoi paratë e taksapaguesve për të lobuar ‘modifikimin e kufijve’, si për shembull për ta ‘shpërblyer’ Serbinë me territor të Kosovës, për veprimet e saj gjenocidale kundrejt njerëzve tanë. Disa prej atyre që udhëhoqën këtë turp duan të kthehen dhe të na qeverisin përsëri”, u shpreh Osmani.

Gjitthashtu edhe bashkëpartiaku i saj, njëhërësh deputeti nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli, ka reaguar duke thënë se vetëm politikanët që kanë zor të madh ndodh që të shpenzojnë paratë e taksapaguesve për ‘sakatim’ të territorit dhe se prokuroria duhet të merret më shumë me këto raste.

“Vetëm nga politikanët që e kanë një zor të madh personal ndodh që t`i shpenzojnë paratë e taksapaguesëve për lobing për sakatim të territorit të shtetit të tij. Prokuroria perveq rritjes së pagave, duhet edhe me rrit punën e saj në hetim të ketyre rasteve”, ka shkruar Avdyli.

Në anën tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, deklaroi se lajmet se Ministria e Integrimeve paska paguar një kontratë ku do të lobohej për të ashtuquajturin “modifikim territorial” që në shqip i bie shkëmbim territoresh, dëshmon se sa i madh ka qenë fronti për copëtimin e Kosovës.

Por sipas tij, po të mos ishte shefi i tij, Ramush Haradinaj me aleatë, toka e Kosovës sot do të ishte e copëtuar.

“Lajmet se Ministria e Integrimeve paska paguar një kontratë ku do të lobohej për të ashtuquajturin “modifikim territorial” që në shqip i bie shkëmbim territoresh, dëshmon se sa i madh ka qenë fronti për copëtimin e Kosovës, të cilin e ka kundërshtuar i vetëm Ramush Haradinaj. Ministria është autonome në lidhjen e kontratave të lobimit dhe mos provoni që këtë ta lidhni me emrin e Ramush Haradinajt”, ka shkruar ai.

“Nese lajmi është i saktë, mund të thoni se dikush ia paska “pi duhanin fsheht” por për ju që kuptoni e provoni të shkruani shqip, po të mos ishte Ramushi me aleatë, toka e Kosovës sot do të ishte e copëtuar”, përfundoi Nitaj.

Hulumtimin e plotë të shkruar nga Jeta Xharra mund ta lexoni në këtë link.

Paratë e taksapaguesve u përdorën për të lobuar për ndryshim të kufijve