Kompleksi Memorial në Reçak - Foto: Atdhe Mulla

Reagimet e liderëve të partive politike në Kosovë në 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut

Sot shënohet 24 vjetori i Masakrës së Reçakut, masakër kjo e cila regjistron dhjetëra civil shqiptarë të vrarë e masakruar në mesin e tyre edhe fëmijë, gra e të moshuar.

Drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministri, Albin Kurti, në ceremoninë përkujtimore të 24 vjetorit të Masakrës së Reçakut, përmendi kohën kur masakra u transmetua edhe nëpër mediat botërore në atë kohë.

“Populli shqiptar do të jetë shumë mirënjohës ambasadorit Walker që në një kohë kur kishte pak zëra që flisnin qartë dhe fuqishëm për Kosovën ai e tha të vërtetën për krimet e luftës që Serbia po i shkaktonte në Kosovë, jo vetëm thjesht me gjuhë diplomatike por sidomos me gjuhen e një humanizmi”- tha Kurti gjatë ceremonisë.

“Përgjithësisht kur e vërteta është kaq e fuqishme siç është ajo Masakra e Reçakut, shfaqen edhe narrativa mohuese ndaj saj sikur që ka bërë Serbia që nga dita e Masakrës e deri më sot, duke u munduar ta turbulloj dhe falsifikoj rolin e drejtpërdrejt, planifikues dhe ekzekutues të shtetit të Serbisë në realizimin e Masakrës së Reçakut”- shtoi Kryeministri Kurti.

Ai tutje përmendi edhe kohën kur, Vuçiq e Daçiq mohuan masakrën e Reçakut duke e quajtur falsifikim dhe fabrikim.

“Më datë 5 dhjetor të vitit 2019, presidenti aktual i Serbisë i cili atëbotë ishte ministër i informatave, pra vetëm para 3 viteve ky president ka deklaruar se Masakra e Reçakut është fabrikim dhe falsifikim. Ndërkaq dy vjet më vonë ai që ishte zëvendës president i partisë së gruas së Millosheviqit dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, e sot shef i inteligjencës së shtetit Serb, më 10.12.2021 në ditën e të drejtave universale ndërkombëtare të njeriut, e përsërit atë që e ka thënë presidenti i Serbisë, falsifikim dhe fabrikim”- shtoi Kryeministri Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku gjatë ditës së sotme i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorë të tij bënë homazhe në kompleksin memorial në Reçak për nderë të përvjetorit të masakrës.

“Mëngjesi i hershëm i 15 janarit të vitit 1999, mban një ndër aktet më të rënda, më të dhimbshme dhe më tronditëse të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Aq tronditës ishte ky akt – krim kundër njerëzimit do ta quante ambasadori Walker atëherë – sa që i njëjti u bë pikë kthese e vëmendjes së botës demokratike ndaj Kosovës dhe angazhimit tonë për jetë të lirë”- është shprehur Abdixhiku pas homazheve.

Ai shtoi se Masakra e Reçakut është rikujtim që nuk shuhet sakrifica e madhe e popullit për liri dhe shtetësi.

“Sot, teksa po largohemi pothuajse një çerek shekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve. Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri”- është shprehur Abdixhiku.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se kërkojnë zbatimin e Rezolutës për gjenocidin e kryer serb në Kosovë, të miratuar me 16 maj të vitit 2019 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Sot, në Ditën e Përkujtimi të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, unë dhe Partia Demokratike e Kosovës i japim mbështetje “Lulëkuqes së Kosovës” si simbol të përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë, të propozuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur””- ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Sipas rezolutës, Krasniqi thotë se kërkojnë që shteti i Serbisë, ndër të tjera, të pranoj se ka kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës në Kosovë.

“Në të njëjtën kohë, përmes masave në nivel kombëtar dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar, të ndëshkojë ata që kanë planifikuar, kryer apo nxitur gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë”- vazhdon postimi i Krasniqit.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj shkroi në rrjetin e tij social në Facebook se Masakra e Recakut mbetet dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovës.

“Përulemi e nderojmë të rënët për liri në të gjithë vendin e veçanërisht viktimat e Masakrës së Reçakut, civilët e masakruar në zemër të Evropës, masakër kjo që shokoi dhe vuri në lëvizje gjithë botën demokratike që me forcë ta ndalte shfarosjen e një populli të tërë. Mirënjohës përjetë Ambasadorit amerikan William Walker që e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit”- ka thënë Haradinaj.