Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Reagimet e kandidatëve për kryetar të Dragashit për gjendjen e banjove të QKMF-së

Kandidatët për kryetar të Komunës së Dragashit janë ballafaquar me pamjet e QKMF-së në këtë qytet, ku shihet papastërtia dhe dëmtim i nyejve sanitare.

Kandidati për kryetar të Komunës së Dragashit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Agron Gashi kritikoi qeverisjen aktuale për këto probleme.

“Për mallra dhe shërbime kemi planifikim të dobët që është rekomanduar nga Auditori”, tha ai.

Kurse, kandidati për kryetar të Komunës së Dragashit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bexhet Xheladini tha se do të rregullojnë gjendjen nëse marrin mandat.

“Ne të gjitha këto do t’i rregullojmë, për aq sa na japin kohë procedurat e prokurimit. Në to do të ketë mjete higjienike të mjaftueshme”, u shpreh ai.

Ndërkaq, kandidatja për kryetare të Komunës së Dragashit, Kaltrina Salihu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se do të intervenojnë në banjot e të gjitha institucioneve.

“Do të përkujdesemi që jo vetëm nyjat sanitare në foto por të gjitha, të mos jenë në këtë gjendje, përfshirë nëpër shkolla”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, kandidati për kryetar të Komunës së Dragashit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani tha se pamjet nuk janë të pranueshme as për të.

“Ne vazhdimisht ndajmë mjetë. Sigurisht se kjo pamje nuk është e pranueshme as për mua as për qytetarët të tjerë. Sigurisht se duhet kujdes i shtuar për këtë”, u zotua ai.

E kandidati për kryetar të Komunës së Dragashit, Xhevxhet Tahiri nga BKK ka fajësuar drejtorin e QKMF-së.

“Banjot në QKMF janë të lëna pas dore, për këtë i ka fajet drejtpërdrejt drejtori. Qe 10 vjet është drejtor”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Dragashit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Dragashit: Agron Gashi nga AAK; Bexhet Xheladini nga LDK; Kaltrina Salihu nga LVV; Shaban Shabani nga PDK dhe Xhevdet Tahiri nga BKK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Dragashit: Afrore Vjeseli nga LVV; Dijamina Lutfiu nga PDK dhe Afrore Vjeseli LVV dhe Xhylferie Bahtijari Beqiri nga LDK.