Reagime të shumta ndaj Abazoviqit që tha se ‘Gjenocidi u krye ndaj njerëzve jo ndaj boshnjakëve’

Delegacioni i Qeverisë së Malit të Zi i kryesuar nga kryeministri, Dritan Abazoviq po merr pjesë në përkujtimin e 27 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, raporton mediumi boshnjak, Vijesti.me.

Sipas këtij mediumi, Abazoviq gjatë fjalimit të tij ka thënë se “Gjenocidi nuk është bërë ndaj boshnjakëve, por ndaj njerëzve” dhe se “Nuk është kryer nga ushtritë, por nga politikanët”.

“Është në dorën tonë të zgjedhim nëse duam të jetojmë në kufirin ballkanik apo të përballemi me të vërtetën, të mos mohojmë askënd, të mbështesim familjet e viktimave. Gjenocidi nuk është bërë ndaj boshnjakëve por ndaj njerëzve dhe nuk është kryer nga ushtritë, por nga politikanët”, thuhet se ka thënë Abazoviq.

Për deklaratën e tij janë bërë disa reagime në rrejte sociale.

Organizatë joqeveritare boshnjake-hercegovinase, Nënat e Srebrenicës që mbledh të mbijetuarit dhe anëtarët e familjeve të të vrarëve dhe të zhdukurve në vitin 1995, kanë kërkuar që Avbazaoviq të kërkojë falje.

“Kryeministri, Dritan Abazovic të na kërkojë falje neve dhe të gjitha viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Fëmijët tanë u vranë vetëm pse janë boshnjakë, u vranë nga një ushtri e organizuar. Në Potoçari nuk ka vend për relativizimin e krimit”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Në anën tjetër, Qendra Përkujtimore e Srebrenicës, po ashtu, ka reaguar në Twitter duke i kërkuar atij që të lexoj dhe mësoj nga gjykatat ndërkombëtare se gjenocidi është kryer ndaj boshnjakëve, pasi motivi nuk ishte ‘vrasja e njerëzve’, por, siç thuhet në reagim, vrasja dhe shkatërrimi i një populli.

“I nderuar kryeministër Dritan Abazoviq, faleminderit që jeni me ne sot në Potoçari. Mirëpo, ndaj boshnjakëve u krye gjenocid – sepse motivi i vrasjes nuk ishte ‘vrasja e njerëzve’, por vrasja dhe shkatërrimi i një populli. Këtë ju mësojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Lexoni ato”, thuhet në reagimin e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës.

Sipas mediumit boshnjak, Abazoviq, në emër të Qeverisë, u përul para të gjithë viktimave, përkrahu familjet dhe tha se beson “se vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme shumë më të mirë”.

Në delegacionin malazez thuhet se janë ministri i Drejtësisë Marko Kovaç, nënkryetari i Qeverisë për Politikë të Jashtme, Integrime Evropiane dhe Bashkëpunim Rajonal dhe Ministrja e Çështjeve Evropiane Jovana Maroviq, Ministri i Administratës Publike Maraš Dukaj dhe Ministri i Kulturës Masha Vlaoviq.

Në Potoçari ndodhet edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i investimeve kapitale, Ervin Ibrahimoviç. Emri i tij nuk gjendet në platformën zyrtare të Qeverisë që u miratua të premten.