Reagime pas zgjedhjes së financuesit të LVV-së në postin e drejtorit të televizioneve të RTK-së

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës miratoi sot propozimin për emërimin e Rilind Gërvallës drejtor i kanaleve në gjuhën shqipe RTK 1, 3 dhe 4.

KALLXO.com raportoi se Gërvalla kishte qenë financues i Lëvizjes Vetëvendosjes në vitin 2020 dhe ishte  parë edhe në fotografi me anëtarë të kësaj partie edhe në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm në vitin 2020.

Sipas rregullores për zgjedhjen e menaxhmentit të lartë të RTK-së, kandidati duhet të mos ketë qenë deputet, ministër, zyrtar i lartë i pushtetit qendror apo lokal, apo anëtar i forumeve drejtuese të subjekteve politike në tri vitet e fundit.

Për këtë emërim kanë reaguar deputetë nga opozita dhe Federata Evropiane e Gazetarëve.

Kjo Federatë ka kërkuar nga bordi i RTK-së që të mos emërojë persona politikë në pozita.

“I bëjmë thirrje bordit të drejtorëve të transmetuesit publik të Kosovës që të mos votojnë kandidatët me përkatësi politike…”- thuhet në reagim.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, e ka quajtur rikapje të mediumit publik emërimin e Gervallës në pozitën e drejtorit të kanaleve të gjuhën shqipe.

Kica Xhelili e ka konsideruar dështim të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës zgjedhjen e Rilind Gërvallës, financues të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Fatkeqësisht, sot Bordi i RTK-së zyrtarisht dështoi në këtë mision, duke e përzgjedhur si drejtor të televizionit donatorin e partisë në pushtet…Më vjen shumë keq, që në atë pak fije shprese që kemi pasur në pak institucione që nuk po gjymtohen nga nepotizmi dhe politizimi, tani u ripërfshi edhe RTK-ja”- ka shkruar Kica Xhelili.

Ndërsa Ableard Tahiri, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës tha se përkundër thirrjeve për mospolitizim të transmetuesit publik, RTK është kapur nga Qeveria.

“Në krye të RTK-së, nuk u zgjodh një profesionist por u emërua një militant politik nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. As kërkesat shoqërore për transparencë e meritokraci dhe as thirrjet e asociacioneve ndërkombëtare e shoqërisë civile për mos politizim të transmetuesit publik, nuk e ndalën hovin e projektit të kapjes së RTK-së nga Qeveria e Albin Kurtit. Kapja dhe nënshtrimi i RTK-së nën direktivën e pushtetit, është një hap më tutje kundër fjalës së lirë dhe lirisë së mediave”- shkroi Tahiri.

Sot KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Rilind Gërvallën mirëpo i njëjti tha se deri më tani nuk ka marrë ndonjë njoftim dhe se pas pranimit të vendimit/njoftimit dhe përfundimit të procesit do të përgjigjet.

Por ndaj këtyre raportimeve ka reaguar vetë Gërvalla në rrjetin social Facebook.

Ai ka thënë se do të ndërmarrë rrugë ligjore për të gjitha përpilimet e pasakëta siç i ka quajtur ai të bëra në emrin e tij.

“Pas sulmeve publike të këtyre ditëve, të bazuar në propagandë dhe fabrikim, jam pak i indinjuar, por më shumë i brengosur se në ç’masë kanalet e komunikimit në ditët e sotme arrijnë ta bëjnë ndërmjetësin e interesave të caktuara pa bërë hulumtim të detajuar. Për hir të korrektësisë mediatike, do të më duhet të ndërmarrë rrugë ligjore për të gjitha përpilimet e pasakta në emrin tim”- ka shkruar Gervalla.

Në konkursin për drejtor të kanalit shqip RTK 1, 3 dhe 4 kishin konkurruar gjashtë kandidatë, ndërsa katër nga ta kishin plotësuar kriteret për intervistë. Më i poentuari nga komisioni ishte zgjedhur Rilind Gërvalla.

Financuesi i Vetëvendosjes zgjidhet drejtor i kanalit në gjuhën shqipe RTK1, 3 dhe 4