Reagime e dorëheqje – çka ndodhi pas publikimit të artikullit të “Slobodna Bosna” në RTK?

Një artikull i një medie boshnjake, i cili pretendon, ndër të tjera, se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka marrë nën kontroll edhe media kosovare, e që është publikuar nga RTK-ja, ka shkaktuar bujë në Kosovë që nga publikimi i tij më 22.07.2024.

Përveç reagimeve të shumta, lidhur me këtë çështje kanë ndodhur edhe dorëheqje brenda transmetuesit publik.

Çka thotë artikulli dhe kush është mediumi boshnjak?

Teksti, që për autor ka ekipin hulumtues të “Slobodna Bosna”, u publikua më 22 korrik 2024 dhe, duke u bazuar në burime, tregon se si minierat e litiumit në Serbi “janë shkaktar i mundshëm i konflikteve të reja në Serbi dhe rajon, por edhe në Bosnje e Hercegovinë”.

Në një pjesë të tekstit, duke cituar burime të paidentifikuara, “Slobodna Bosna” shkroi se pushteti i Vuçiqit po zgjerohet kur bëhet fjalë për “heshtjen” e mediave të papërshtatshme në rajon dhe se tashmë ka ardhur koha që e njëjta gjë të bëhet edhe ndaj mediave në Kosovë.

Lidhur me mediumin boshnjak “Slobodna Bosna”, KALLXO.com ka pyetur Darko Brkan nga “Raskrinkavanje.ba” – një platformë për kontrollin e saktësisë së informacionit dhe dezinformatave në hapësirën publike të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Brkan ka thënë për KALLXO.com se “Slobodna Bosna” ka një histori të gjatë dhe se ka qenë një nga revistat politike më me ndikim në Bosnjë e Hercegovinë.

Postimet e deputetëve të LVV-së

Fillimisht reagimet në opinionin publik u nxitën marrë shkas edhe postimet e disa deputetëve dhe anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët në rrjetin social Facebook shpërndanë artikullin e përkthyer nga RTK-ja ku thuhej se janë dy media në Kosovë të kontrolluara apo financuara nga Vuçiq.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) reagoi duke thënë se denoncon fushatën e rrezikshme akuzuese të deputetëve të LVV-së, Sali Zyba dhe Dimal Basha kundër “Periskopit” dhe “Nacionales”.

Sipas AGK-së, zyrtarja e LVV-së, Dejona Mihali ka vazhduar më 23.07.2024 sulmet e partisë qeverisëse kundër gazetarëve, mediave dhe AGK-së.

“Mihali ka kërkuar hetime ndaj mediave të Kosovës për pretendimet e gazetës boshnjake, që sipas saj, “është një gazetë investigative, dhe nuk është një gazetë regjimesh”. Mihali gjithashtu i ka bërë thirrje AGK-së, të kërkojë hetime duke shkruar se “Asociacioni i gazetarëve do të ishte më mirë të tregonte profesionalizëm dhe të sugjeronte hetime për rastin që kolegët gazetarë boshnjakë kanë publikuar. Pra, nëse vërtetë Vuçiq dhe rrjeti i tij kriminal ka dorë brenda në Kosovë””- thuhet në reagim.

Të njëjtën thirrje për Prokurorinë e bëri edhe deputeti Adnan Rrustemi.

Reagimi i Bordit të RTK-së

Bordi i RTK-së më 23 korrik mbajti mbledhje të jashtëzakonshme dhe përmes një njoftimi tha se është i shqetësuar për publikimin “e artikullit kontrovers në RTK”, që e cilësoi si “lëshim të qartë”, duke kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti.

Kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini, tha se i kanë ftuar të gjitha palët dhe stafin editorial për të raportuar për ketë çështje.

Ndërsa drejtori i televizioneve RTK 1, RTK 3 dhe RTK 4, Rilind Gërvalla, para mbledhjes tha: “Nuk e di për çka jena mbledhë”.

Pas mbledhjes, bordi i RTK-së njoftoi se ka marrë vendim për formimin e një komisioni profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale “për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”.

Distancimi i gazetarëve të RTK-së

Një pjesë e stafit të Radio Televizionit të Kosovës, përfshirë redaktorë e moderatorë u distancuan nga lajmi i publikuar në televizionin publik.

Redaktori i edicionit të lajmeve të datës 22.07.2024 në RTK, Jeton Musliu, tha se ka pasur presion nga drejtori aktual i televizionit, Rilind Gërvalla dhe ushtruesja e detyrës e kryeredaktores, Leonora Bërbatovci, për të ndërhyrë në edicionin e Lajmeve Qendrore të RTK-së.

Tutje ai deklaroi se insistoi që lajmi të mos dalë por pati presion të vazhdueshëm mbi të.

Blerta Foniqi Kabashi, Bashkim Vishaj, Edona Podvorica, Enver Bajrami, Fitore Rexhepi, janë disa nga punëtorët e transmetuesit publik që iu bashkuan fushatës “Unë distancohem”, duke shprehur se nuk ndjehen përgjegjës për shpërndarjen e këtij artikulli.

OJQ dhe aktivistë kërkuan shkarkimin e Bordit të RTK-së

Gjashtëmbëdhjetë organizata joqeveritare dhe tre aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, kërkuan dorëheqjen e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), pas publikimit të artikulli të mediumit “Slobodna Bosna” të Bosnje-Hercegovinës.

Organizatat dhe aktivistët nënshkrues të kësaj komunikate konsideruan që bordi i RTK-së “duke bërë lëshime të njëpasnjëshme ka lejuar shtrirjen e dorës së pushtetit në transmetuesin publik dhe nuk gëzon më kredibilitetin dhe pavarësinë e nevojshme për të vazhduar tutje mandatin e tyre dhe duhet të dorëhiqen nga pozitat e tyre”.

Edhe misioni i OSBE-së në Kosovë reagoi lidhur me çështjen e publikimit të një artikulli në RTK. OSBE mirëpriti vendimin e bordit të RTK-së për të formuar një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale.

Akuzat ndaj Rilind Gërvallës dhe përgjigja e tij

Redaktori i edicionit të Lajmeve Qendrore të RTK-së më 22.07.2024, Jeton Musliu, doli me deklaratë publike duke thënë se linku i lajmit të ‘Sloboda Bosna’-s iu dërgua nga drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla.

Drejtori Rilind Gërvalla për KALLXO.com ka pranuar se ia ka dërguar linkun Musliut por ai ka refuzuar të ketë ushtruar presion për publikimin e tij.

“Në RTK ka hierarki. Drejtori ka përgjegjësitë e veta programore për çdo sekond që transmetohet. Linkun ia kam dhënë, pos asnjëherë s’i kam thënë bëje, as s’ka asnjë lloj presioni asnjëherë nga unë. Presioni ndaj redaktorëve është stisje dhe gënjeshtër. Ne nuk kemi debatuar. Lajmi i ‘Slobodna Bosna’ ka qenë publik. Mua më vjen keq që një i dënuar për shpifje vazhdoka të njëjtën gjë” – deklaroi me shkrim Gërvalla.

Kush dha dorëheqje lidhur me këtë çështje?

Dy ditë pas publikimit të artikullit, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Zana Spahiu u emërua u.d. drejtoreshë e përgjithshme në RTK më 07.07.2024.

Dorëheqja e saj erdhi pas zhvillimeve rreth rastit të publikimit të lajmit nga RTK-ja, i cili ishte marrë nga mediumi boshnjak ‘Slobodna Bosna’.

Ndërsa, Kryetari i bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Besnik Boletini, më 17.08.2024, gjatë mbledhjes së bordit të RTK-së dha dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të bordit të RTK-së.

Boletini tha se përpjekjet për të adresuar skandalin e publikimit të një artikulli të paverifikuar gjatë këtyre javëve ishin të përditshme dhe të vazhdueshme, përkundër vështirësive.

Pas dorëheqjes së Boletinit, dorëheqje dhanë edhe anëtarët e këtij bordi, Arta Berisha dhe Safet Kabashaj.

Krasta: Nuk është primare ndëshkimi i njerëzve

Zëvendësdrejtori gjeneral i RTK-së, Adi Krasta, ka folur për publikimin e raportit të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”, i cili etiketonte dy portale kosovare si media të ndikuara nga Serbia, duke thënë se është i kënaqur që në Kosovë po bëhet një debat për standardet gazetareske.

“Nuk është primare historia e ndëshkimit, nuk jemi institucion policesk, nuk është primare për ne ndëshkimi, heqja e kokave, historia e shkarkimit është kulturë e vjetër në RTK dhe institucione tjera, që e zgjidh duke e shkarkuar tjetrin, që nuk zgjidhet problemi i vërtetë. Në këtë rast Bordi kur të plotësohet duhet të zgjedh drejtorin e përgjithshëm. Unë se kam me nxitim” – tha ai.

Ai tutje ka thënë se mban pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm i RTK-së dhe se nuk ka dashur kurrë të bëhet drejtor.

Krasta, ka folur për raportin me zyrtaren e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali pas publikimit të një fotografie në rrjetet sociale në të cilën ata shihen duke biseduar.

“Raporti im me zonjën Mihali, është një raport që e kam shumë të qartë në çfarë dimensione shkon. Është një personazh shumë i njohur në Kosovë. Pjesë e një lëvizje politike që është aktualisht në pushtet. Nuk ka asnjë lidhje, kafeja, para dhe mbas urinimit që zakonisht bëhet atje (në lokalin ku është shkrepur fotografia) me kuriozitetin e njerëzve në Kosovë në raport me këtë ngjarje” – ka thënë Krasta në RTK.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Mihaili por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Sindikata e punëtorëve kërkon kompletim të Bordit

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së më 21.08.2024, ka reaguar rreth zhvillimeve të fundit në televizionin publik pas dorëheqjes së kryetarit dhe dy anëtarëve të Bordit të RTK-së, lidhur me publikimin e raportit të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”.

Kjo sindikatë ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që në afat sa më të shkurtër kohor ta kompletoj me anëtarët e rinj Bordin e RTK-së.

“Sindikata e Punëtorëve e RTK-së kërkon nga Kuvendi i Kosovës, konkretisht nga Komisioni për media që në afat sa me të shkurtër kohorë ta kompletoj me anëtarët e rinj Bordin e RTK-së duke ndjekur procedurat sipas ligjit. Sindikata kërkon që këtë proces ta monitorojnë organizata kredibile vendore e ndërkombëtare”- thuhet në reagim.

Ndërsa theksohet se Sindikata kërkon që të ndalen sulmet ndaj televizionit publik dhe kërkon nga partitë politike dhe individët e caktuar t’i mbajnë duart larg nga transmetuesi publik.

Përveç kësaj, Sindikata ka listuar edhe një serë kërkesa tjera që kanë të bëjnë me kushtet e punëtorëve në këtë institucion.

Sindikata ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta rris buxhetin për RTK-në, ndërsa thuhet se janë kaluar të gjitha limitet e pritjes sa i përket pronës, ligjit dhe ndërtimit të objektit.