Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Reagim mbi baza etnike i Komunës së Gjilanit për arrestimet për keqpërdorime me subvencione

Në reagimin e Komunës së Gjilanit pas arrestimit të zyrtarëve të saj për dyshimet me keqpërdorime me subvencione, komuna ka njoftuar se bëhet fjalë për 3 qytetarë të komunitetit serb, dy prej të cilëve fermer dhe një zyrtarë komunal.

“Pas raportimeve në media për arrestimin e një zyrtari komunal nën ‘dyshimet për keqpërdorim të subvencioneve’, Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë, njofton opinionin se sipas informative të para bëhet fjalë për një rast të izoluar në fshatin Ponesh, në mes të dy fermerëve të komunitetit serb dhe zyrtarit komunal, i cili, po ashtu, është nga komuniteti serb”, thuhet në reagim.

Sipas njoftimit, Komuna e Gjilanit në këtë rast do të veproj në përputhje me ligjin.

“Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë, është në pritje të raportit zyrtar të organeve të drejtësisë dhe sapo të merret raporti, do të veprojë në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet tutje aty.

Sot Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Ponesh të komunës së Gjilanit janë arrestuar dy burra të dyshuar cilët në bashkëveprim me njëri tjetrin kishin vendosur në aplikacionin për subvencione parcelën e mbjellë me grurë pa dëshirën e qytetarit.

Ditë më parë janë arrestuar 23 persona nga komuna të ndryshme të Kosovës për skandalin me subvencione.

Një pjesë e të arrestuarve të këtij rasti po mbahen në paraburgim, ndërsa një pjesë e tyre që dyshoheshin për dhënie ryshfeti janë liruar në procedurë të rregullt.

Në paraburgim po mbahen zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, përkatësisht drejtori për pagesa direkte Luan Statovci dhe zyrtarët Sadat Shkodra, Hasan Maxharraj, Berat Nika, Kushtrim Zogaj dhe Adushe Ukshini.

Fotografime, përgjime telefonike dhe incizime në zyrat e Ministrisë së Bujqësisë kishin qenë disa nga masat të cilat ishin përdorur nga Prokuroria gjatë hetimit të këtij rasti.

Dy të arrestuar për keqpërdorim me subvencione në bujqësi