Reagim i Rrjetit të Grave për rastin e dhunimit të 11 vjeçares

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar të merren masa disiplinore ndaj prokurorëve të përfshirë në hetimet dhe aktakuzën, në rastin e dhunimit të 11 vjeçares.

Dje është bërë e ditur se  Gjykata e Prishtinës, Departamenti për të mitur,  ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj pesë personave të cilët, sipas Prokurorisë, dyshohet se ishin përfshirë në dhunimin e 11-vjeçares, në gusht të vitit kaluar.

RrGK-ja ka reaguar ndaj, siç e kanë quajtur, neglizhimin institucional, mos hetim të rastit dhe sipas tyre, dështimin në mbledhjen e provave në lidhje me rastin.

“Mos hetimi i rastit siç duhet dhe aktakuza jo e duhur nga ana e prokurorisë dërgon në dështime të një pas njëshme institucionale nga të cilat dhunuesit janë të lirë dhe ky neglizhim dërgon në raste recidive. Në vazhdën e lajmeve për dhunime dhe vrasje të grave, prokurorët dështojnë që të hetojnë rastet dhe të përpilojnë akuza sipas veprave penale të cilat parashihen në Kodin Penal të Republikës së Kosovës” – thuhet në reagim.

Po ashtu, sipas Rrjetit të Grave, dështimet nga ana e prokurorisë dërgojnë në zvarritje të lëndëve penale dhe në dekurajim të viktimave të dhunës me bazë gjinore.

“Andaj, përmes këtij reagimi kërkojmë nga ana e prokurorisë që të bëhet një hetim serioz i veprës dhe të përpilohet kërkesa në mënyrë që dhunuesit të marrin dënimin e merituar. Gjithashtu kërkojmë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të marrë veprimet e duhura lidhur me gjetjen e shkaktarit mbi atë që kemi aktakuza të dobëta që hidhen poshtë nga gjykatat” – thuhet ndër të tjera në reagim.

Më 27 gusht 2022, në një park të kryeqytetit, një vajzë e re 11-vjeçare dyshohet se përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht brenda një intervali prej 7 orëve nga disa persona. Pas publikimit në media të kësaj ngjarje, hetimet e prokurorisë quan në arrestimin edhe të disa personave të tjerë, që dyshohet se janë të përfshirë në dhunimin e së miturës.

Lajme të tjera me rëndësi lidhur me këtë rast mund ti ndiqni në këtë LINK.