Ratko Mlladiq në sallën e gjyqit të Gjykatës së Hagës. Foto: ICTY.

Ratko Mlladiq kërkon shtyrje të apelit për arsye shëndetësore

Mbrojtja e ish-shefit ushtarak serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, tha se ai ka probleme serioze shëndetësore, përfshirë një infarkt të mundshëm, dhe kërkoi që të shtyhej apelimi i dënimit të tij për gjenocid dhe krime të tjera lufte.

 

Avokatët mbrojtës të Ratko Mlladiq thanë të hënën se ata i kanë kërkuar Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë të shtyjnë seancat e apelit të vendosura për më 17 dhe 18 mars, në mënyrë që të kontrollojnë nëse ish-komandanti ushtarak serb i Bosnjës është në gjendje të mirë shëndetësore për të marrë pjesë në procedime.

“Baza e kërkesës ishin informacionet mjekësore në lidhje me z. Mlladiq të zbuluara së fundmi nga Zyra e Sekretarit të Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në lidhje me një problem të tij, që pengon mundësinë e një ndërhyrjeje kirurgjikale, një infarkt i ri i mundshëm (më parë i jo raportuar) dhe të tjera çështje të rëndësishme që kanë lidhje me për aftësinë e gjeneralit Mlladiq për të marrë pjesë në seanca”, thuhej në kërkesën e parashtruar nga avokatët e Mlladiq, Branko Lukiq dhe Dragan Ivetiq.

Ata thanë se e paraqitën kërkesën më 28 shkurt.

Mlladiq, 76 vjeç, ka pasur disa probleme serioze shëndetësore ndërsa ishte në paraburgim në Holandë dhe ka pësuar dy infarkte dhe një atak në zemër. Mbrojtja e tij është ankuar në mënyrë të përsëritur për kujdesin mjekësor që ai ka marrë në paraburgim dhe ka kërkuar që ai të lirohet për trajtim në spital.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara e dënoi Mlladiqin me burgim të përjetshëm në nëntor 2017, duke e konsideruar atë fajtor për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995, përndjekje të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit dhe pengmarrje të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.

Mlladiq e apeloi vendimin, siç bëri edhe prokuroria e Hagës, e cila kërkon që ai të shpallet fajtor për gjenocid në gjashtë komuna të tjera në vitin 1992.

Ende nuk është caktuar një datë për vendimin përfundimtar, por Carmel Agius, presidenti i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, ka thënë se ai do të jepet deri në fund të këtij viti.

Vendimi përfundimtar për Mlladiqin duhet të ishte dhënë më herët sesa kaq, por pas një kërkese nga mbrojtja, tre gjyqtarë u hoqën nga gjyqi i tij pasi Mlladiqi i akuzoi ata për njëanshmëri.

Më pas u emëruan gjyqtarë të rinj të cilët kanë nevojë për kohë për t’u njohur me çështjen.