Rasti "Veteranët" - Foto: KALLXO.com
Rasti ‘Veteranët”, Shukri Buja jep mbrojtjen, të akuzuarit e tjerë zgjedhin të mbrohen në heshtje
Në Gjykatën e Prishtinës në rastin e njohur si “Veteranët” seanca e sotme, 10.12.2024, ka vazhduar më dhënien e mbrojtjes.
Përveç Shukri Bujës, të akuzuarit e tjerë kanë zgjedhur që të mbrohen në heshtje.
Në këtë proces të akuzuar janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Ata akuzohen se si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë Komisioni, duke ua mundësuar dhe njohur personave të tjerë statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.
I akuzuari Shukri Buja gjatë dhënies së mbrojtjes deklaroi se përveç si anëtar i Komisionit qeveritar për verifikimin e aplikacioneve ka qenë edhe komandant i Zonës Operative të Nerodimës.
“Në Komisionin qeveritar roli im ka qenë i njëjtë sikur i Salih Lushtakut, si i Rrahman Ramës, të cilët as diskutimet (këtu kanë deklaruar) as diskutimet nuk i kanë pasur në kundërshtim me mua, as votimet nuk i kanë pasur kundërshtim me mua por nuk e di arsyen pse Prokuroria dallon sikur unë i kam marrë të gjitha vendimet në komision veç vetë, nuk i akuzon ata dy po më akuzon vetëm mua” – tha Buja.
Ai gjatë mbrojtjes së tij tha se Komisioni qeveritar ishte themeluar dhe kishte qenë në mandatin e Qeverisë së Kosovës.
“Kanë qenë 7 kategorizime pas amendamentimit të ligjit. Qeveria që ia ka dhanë mandatin e ia ka ndërpre mandatin në fillim apo në gjysmë të punës” – tha Buja.
“A ka pasur raste kur ju kanë treguar personat e mitur se nuk e kanë moshën madhore me rastin e regjistrimit të tyre?” – ishte një pyetje e cila iu drejtua nga prokurori Valdet Gashi.
Kjo pyetje u kundërshtua nga mbrojtësi i Shukri Bujës, avokati Fadil Jashari, sepse, sipas tij, Prokuroria me pyetje orientuese po dëshiron të marrë përgjigje.
Shukri Buja lidhur me këtë pyetje tha se nuk ka përgjigje. “Nuk kam përgjigje, e respektoj avokatin” – tha Buja.
Po ashtu gjatë dhënies së mbrojtjes i akuzuari Shukri Buja tha se ishte vendim politik mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që të përfshihen në kuadër të veteranëve luftëtarë edhe disa kategori të tjera.
“Kam diskutu e kam vlerësu se është rritje e numrit. Po, e di mjaft mirë se si është rritur numri se përse është rritur numri, sepse pas amendamentimit të ligjit ka qenë marrëveshje politike mes PDK-së dhe LDK-së që kanë qenë në pushtet për ta votuar këtë ligj, këtë amendamentim më falni, pa probleme në mënyrë që të përfshijnë në kuadër të veteranëve luftëtarë edhe disa kategori të tjera” – tha Buja.
Paraprakisht në seancën e sotme prokurori Gashi bëri prezantimin e provave materiale, me ç’rast prezantoi listat e përgatitura sipas zonave operative, në të cilat pretendon se u është njohur statusi i veteranit.
Në fillim të seancës prokurori Gashi e prezantoi listën nga Zona Operative e Drenicës, Zona Operative e Dukagjinit, Zona e Llapit, Zona e Pashtrikut, Zona Operative e Shalës, Zona e Nerodimes, Zona e Karadakut, si dhe po ashtu edhe lista nga Ministria e Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm.
Sipas prokurori special Gashi, në total në këto zona në kundërshtim me ligjin del se e drejta e veteranit u është njohur 19,500 personave.
“19,500 total të gjithë këta e gëzojnë numrin e statusit të veteranit” – tha prokurori Gashi gjatë seancës së sotme.
Pas prezantimit të këtyre listave nga ana e prokurorit pati kundërshtime dhe vërejtje nga ana mbrojtësve të të akuzuarve ndërsa të akuzuarit i mbështetën fjalët e mbrojtësve të tyre.
Seanca e radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet gjatë muajit shkurt 2025.
Ky rast po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit Gazmend Bahtiri (kryetar i trupit gjykues) dhe Kushtrim Shyti dhe Ngadhnjim Arrni.
Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Valdet Gashi.
Kujtojmë që Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për t`u gjykuar përsëri pas vendimit të Themelores me të cilin i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.
Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, në krye me Agim Çekun, për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës sa ishin pjesë e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të luftës.
Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.
Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë Komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.
Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.
Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave.
“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK .