Seanca gjyqësore, rasti "Ukë Rugova 2"

Rasti 'Ukë Rugova 2', dëshmitari thotë se policia i ka bërë presion gjatë marrjes në pyetje më 2015

Fitim Beqiri dhe 14 të akuzuar të tjerë u përballën me dëshmitë e dy dëshmitarëve në rastin e njohur si “Ukë Rugova 2”.

Fadil Buja dhe Kadrie Bajrami ishin të ftuar në cilësinë e dëshmitarëve që të deklarojnë në këtë gjykim, të dy persona të cilët kishin provuar të marrin viza italiane.

Dëshmitari Fadil Buja deklaron se ka qenë i interesuar për një vizë për djalin e tij.

Ai ndër të tjera shton se nuk i qëndron mbrapa deklaratës së dhënë në Polici në vitin 2015, sepse sipas tij policia i kishte bërë presion që të deklaronte në lidhje me këtë rast.

“Jo nuk mund të qëndroj prapa asaj deklarate sepse nuk është e vërtetë ajo që kam thënë atëherë, sepse kam qenë në presion prej policisë, krejt tu m’thonë kuku për ty çka t’ka gjetë, m’kanë thanë prano thuj që ta ka dhënë vizën, ndërsa atë që e them sot është e vërtetë” – tha dëshmitari Buja.

Dëshmitari Buja u ballafaqua edhe me telefonatat e përgjuara me një nga të akuzuarit, Begë Shaqiri, që Prokuroria i posedon mirëpo i njëjti i komenton ato si biseda joserioze dhe pjesë të shakasë.

Ndërsa, dëshmitarja Kadrie Bajrami deklaroi se ka kaluar kohë e gjatë prej kur ka ndodhur rasti dhe se nuk i kujtohen detajet, mirëpo shtoi se ka pranuar një telefonatë ku është pyetur se a dëshiron të pajiset me vizë italiane.

Në atë kohë dëshmitarja tregon se ka pasur famijët që i kanë jetuar në Itali dhe i është dashur viza e së njëjtës, dhe Ambasada ia kishte refuzuar aplikimin.

Dëshmitarja deklaron se nuk i njeh asnjë nga personat e akuzuar në këtë rast dhe as nuk e mban mend personin që është takuar me të në lidhje me këtë vizë.

E pyetur nga trupi gjykues e njëjta deklaron se vetëm pasaporta iu është kërkuar si dokument, mirëpo vizën nuk e ka marrë atëherë.

Të pranishëm për të deklaruar ishin edhe tre dëshmitarë të tjerë, mirëpo për arsye të disa obligimeve trupi gjykues vendosi që ky gjykim të shtyhet për në janar të vitit 2023.

Ky proces gjyqësor është pjesa e dytë e gjykimit ku të akuzuarit përballen me akuzat për mashtrim dhe kontrabandim me migrantë e që në opinion njihet si “mashtrimi me vizat italiane”.

Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Azem Koskoviku, Hamza Beqiri, Visar Beqiri, Begë Shaqiri, Hasan Shaqiri, Edison Idrizi, Driton Voca, Fadil Ahmeti, Haxhi Islami dhe Valon Selimi, akuzohen nga Prokuroria se duke qenë anëtarë të organizatës të themeluar, organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose  drejtuar nga Ukë Rugova dhe Izet Beqiri, kanë marrë pjesë në furnizimin e individëve me viza Schengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes shtrembërimit ose korrupsionit.

Këta 15 të akuzuar i përkasin grupit të të akuzuarve ku bëjnë pjesë edhe Ukë Rugova, ish-deputet dhe djali i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe Astrit Haraqija, ish-ministri i Kulturës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Më 3 korrik të vitit 2020 ndaj këtyre 15 të akuzuarve u veçua procedura penale.

Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, si rezultat i aktiviteteve të këtij grupi.

Raportimet e KALLXO.com për këtë rast i gjeni në këtë LINK.