Gjykimi në rastin 'Toka'. Foto: Kallxo.com

Rasti 'Toka 3', kërkohet dënimi i të akuzuarve dhe konfiskimi i pronave

I është afruar fundit gjykimi në rastin të njohur si “Toka 3” në të cilin të akuzuar janë Baki Abdullahu dhe 15 të tjerë, nën dyshimin për shpëlarje e parave dhe veprave të tjera penale.

Në seancën e mbajtur sot u dëgjua fjala përfundimtare e palëve duke filluar nga prokurorja e rastit Ilirjana Çollaku-Tafa.

Prokurorja Çollaku-Tafa fjalën e saj përfundimtare tha se do ta dorëzojë me shkrim gjatë ditës, ndërsa të njëjtën e elaboroi gjatë seancës.

Sipas saj, me prova personale dhe materiale është vërtetuar që të akuzuarit me dashje kanë kryer veprat penale sipas aktakuzës dhe i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit të dënohen sipas ligjit dhe që pronat të konfiskohen.

Në vazhdin mbrojtësi i të akuzuarit Haki Hyseni, avokati Ali Beka tha se nuk qëndrojnë pretendimet e prokurorisë dhe se prona është blerë nga i mbrojturi i tij për qëllime të biznesit familjar.

Haki Hyseni e mbështeti fjalën e mbrojtësit të tij duke u betuar se është i pafajshëm.

“Po betohem në Zot, asnjë dinar pa djersë nuk është…”- tha Hyseni.

Fjalën përfundimtare e dhanë edhe vetë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre të cilët nga gjykata kërkuan që të merret një aktgjykim lirues.

Sipas aktakuzës se prokurorisë Speciale të vitit 2016, Baki Abdullahu, Haki Hyseni, Arsim Hasani, Valdet Shaqiri, Skënder Potera, Muharrem Kadriu, Xhevahir Begolli, Nadir Shantiri, Sali Bivolaku, Idriz Buzës, Samir Haxhimusaj, Shkëlqim Latifaj, Enver Çoçaj, Jeton Govori, Besnik Rexha, Jusuf Lataj dhe Agron Haxhosaj ngarkohen për veprën panel shpëlarje e parave si dhe vepra penale në bashkim dhe në vazhdim.

Të pandehurit këto veprime akuzohen se i kanë bërë duke e ditur që parcelat e tokës janë fitim i krijuar me aktivitete kriminale dhe pronësia e këtyre pronave ishte transferuar tek persona me entitet serb.

Prokuroria Speciale pretendon se pronat kanë qenë në kontroll të këtij grupi të organizuar kriminal të përshkruar si në 19 pikat e aktakuzës. Të njëjtit në bashkëpunim me të paraqiturit si përfaqësues të shitësit të parcelave dhe me vet blerësit që janë vet ata, kanë transferuar pronat me qëllim të fshehjes të natyrës, burimit, lëvizjes dhe pronësisë së tokës

Gjithnjë sipas aktakuzës, Baki Abdullahu në maj të vitit 2006 ka përvetësuar dy parcela të tokës në Llapnasellë nga Edvard Gashi, me çmime artificialisht të ulëta 82 mijë euro apo 20 euro për metër katror.

Haki Hyseni në tetor të vitit 2006 kishte trasnferuar parcelat e tokës në Llapnasellë nga Haki Abdullahu me çmim të njëjtë sikur Abdullahu. Kurse Arsim Hasani në shtator të vitit 2006 ka përvetësuar parcelën nga Fahredin Gashi me çmim artificialisht të ulët.

Ndërsa Valdet Shaqiri në korrik të vitit 2007 ka përvetësuar parcelën në Llapnasellë nga Shaban Syla me çmim të ulët prej rreth 127 mijë euro e në tetor të po atij viti ka transferuar parcelën ë njëjtë tek Skender Potera.

Sipas aktakuzës Skender Potera ka përvetësuar parcelën e lartë cekur nga Valdet Shaqiri. Kurse Muharrem Kadru më 11 shtator 2007 ka përvetësuar tokën nga Shaban  Syla, i cili kishte vepruar në cilësi të përfaqësuesit të Kruna Blagojevcit

Edhe Xhevahir Begolli në po të njëjti vit ka përvetësuar parcelën e lartë cekur nga Shaban Syla e në mars të vitit 2008 të njëjtën parcelë e ka transferuar tek Nadri Shantir

Në këtë aktakuzë është i akuzuar edhe Sali Bivolaku i cili në korrik të vitit 2012 sipas prokurorisë i njëjti përmes përfaqësuesit të tij Avni Maxhunit ka përvetësuar parcelën në Veternik nga Shqipe Maxhuni me çmim të ulët.

Idriz Buza thuhet se në gusht të vitit 2012 ka përvetësuar parcelën në Veternik nga Elhame Uka.

Sipas prokurorisë njëjtë kanë vepruar edhe të akuzuarit e tjerë Samir Haxhimusaj, Shkëlqim Latifaj, Enver Çoçajn, Jeton Govori, Besnik Rexha, Jusuf Lataj dhe Agron Haxhosaj.

Deri më tani për të akuzuarin Sami Haxhimusaj është veçuar procedura penale ngase është konstatuar nga gjykata se i njëjti gjendet jashtë vendit dhe shqyrtimi ka vazhduar deri në fjalën përfundimtare të palëve.