Foto: KALLXO.com

Rasti "Subvencionet I", japin mbrojtjen dy nga të akuzuarit

Në gjykimin ndaj të akuzuarve në rastin e njohur si “Subvencionet 1” në seancën e datës 16.09.2024 kanë dhënë mbrojtjen dy nga të akuzuarit, Jeton Sylaj dhe Lulzim Hajdaraj.

Paraprakisht prokurori i rastit, Rafet Halimi, i propozoi Gjykatës që mbrojtjen e dhënë në seancën e kaluar nga ana e të akuzuarit Hasan Maxharraj të mos e marrë për bazë për shkak se, siç u shpreh prokurori, gjatë deklarimit në shqyrtim gjyqësor i njëjti i është përgjigjur të gjitha pyetjeve nga mbrojtja e tij por ka refuzuar t’i përgjigjet prokurorit.

Kështu, prokurori Halimi kërkoi që deklarimi i Maxharrajt në procedurë paraprake të merret ndërsa deklarimi në procedurë paraprake të merret si provë e drejtpërdrejtë.

Ky propozim u kundërshtua nga avokatja në zëvendësim e Maxharrajt, Gerta Ragipi, ngase, sipas saj, i pandehuri ka plotësisht të drejtë t’u përgjigjet pyetjeve të mbrojtësit të tij ndërkaq që ka të drejtë të mbrohet në heshtje ose t’i përgjigjet pyetjes së prokurorit.

Trupi gjykues, i kryesuar nga Kujtim Krasniqi, vendosi se lidhur me propozimin do të vendosë pasi që të paraqitet mbrojtja e të gjithë të pandehurve.

Seanca vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarit Jeton Sylaj.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij, Betim Shala, i pandehuri Jeton Sylaj tregoi për angazhimin e tij në Komunën e Istogut.

Ai pohoi se para kohës kur nga Prokuroria po akuzohet se ka keqpërdorur pozitën, përkatësisht më 28.08.2020, ka qenë i angazhuar në këtë institucion me kontratë për shërbime të veçanta për periudhë 3-mujore, kurse më vonë ishte bërë zyrtar për pranimin e aplikacioneve për subvencione.

Ai tregoi se në atë kohë për shkak të pandemisë ishte mundësuar aplikimi për subvencione nga distanca.

“Sa i përket digjitalizimit ka ekzistuar një hartë në mur, kjo hartë ka paraqitur parcelat e komunës sonë, në atë hartë nuk ka qenë e identifikuar ndonjë parcelë e cila ka qenë pronë e Komunës, nuk kishte asnjë identifikim të tillë” – shtoi më tutje Jeton Sylaj.

Sylaj tregoi se nuk kishte detyrë të bënte vërtetimin e kontratave të cilat i sillnin palët të cilat kishin marrë toka me qira për t’i kultivuar.

Ai tha po ashtu se kishte për detyrë të bënte digjitalizimin e parcelave dhe kompletimin e dokumentacionit ndërsa për mospërputhjet eventuale të cilat ia potencoi avokati i tij tha se këto dhe gjendja në terren binin mbi përgjegjësinë e zyrtarëve të AZHB.

“A do të thotë kjo që saktësinë e të dhënave në terren dhe në dokumentacion ju nuk e keni pasë për detyrë ta bëni” – ritheksoi avokati Betim Shala

“Po” – u përgjigj i pandehuri Jeton Sylaj.

Avokati e pyeti nëse nga Komuna e Istogut kanë pasur ndonjë listë të paluajtshmërive se cilat paluajtshmëri kanë qenë pronë e Komunës.

I pandehuri tha se nuk i është prezantuar ndonjë raport me pronat komunale, po ashtu se këto prona nuk ishin të identifkuara as në programin për digjiitalizim.

E një gjë e tillë, sipas të padenhurit, kishte ndryshuar më 2021, kur janë nxjerrë dy vendime të cilat Sylaj potencoi se i ka prezantuar para kësaj Gjykate e të cilat vërtetojnë në mënyrë të qartë që këto të dhëna ishin nxjerrë vetëm gjatë atij viti.

Seanca ka vazdhuar me mbrojtjen e të akuzuarit Lulzim Hajdaraj, i cili duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të tij, avokatit Xhemajl Ademaj, tha se ka qenë i punësuar në Ministrinë e Bujqësisë si vozitës i minsitrit që nga 2007, kurse më vonë ishte bërë zyrtar për kontroll të subvencionimit në terren.

Avokati e pyeti se gjatë kontrolit si zyrtar në terren kush ka qenë i obliguar për nxjerrjen ortofotove dhe dokumentacionit?

I pandehuri tha se nuk e di nëse kjo është bërë nga Komuna apo Ministria por që si zyrtar për kontroll në terren ishin bazuar në to.

Duke elaboruar rastin e një fermeri, ai tha se verifikimin e kishte bërë në vitin 2020 në bazë të orto-fotove edhe gjendjes në terren procesverbali që është bërë nga unë dhe Musa Nivokazi ka qenë 100% i saktë dhe sot jap përgjegjësi për atë nënshkrim.

“E ceka edhe më lart, përpilimi i raportit është bërë përmes orto-fotove dhe gjendjes reale. Nuk kam pasë ndonjë përgjegjësi tjetër, se unë gjeodet nuk jam e as forenzikën nuk e kam, ekonomist jam me profesion dhe jam bazu në gjendjen reale dhe në orto-foto” – ritheksoi gjatë marrjes në pyetje nga ana e prokurorit i pandehuri Lulzim Hajdaraj.

Ky rast po gjykohet nga trupit gjykues në përbërje të Kujtim Krasniqit – kryetar dhe anëtarët Valon Kurtaj e Lutfi Shala.

 Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Përmes aktakuzës, Prokuroria pretendon se ka zbuluar afera të shumta korruptive me subvencione në të cilat ishin të përfshirë zyrtarë të shumtë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Sipas këtij organi, skema e korrupsionit ishte ndërtuar në atë formë që aplikuesit që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së udhëzoheshin që të aplikonin për mbjelljen e bimëve mjekësore aromatike nga ku më pas vlera e subvencionit të fituar ndahej mes tyre në përqindje të ndryshme të cilat shkonin deri në 70% për zyrtarët e AZHB-së.

Sipas këtij organi, skema e korrupsionit ishte ndërtuar në atë formë që aplikuesit që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së udhëzoheshin që të aplikonin për mbjelljen e bimëve mjekësore aromatike nga ku më pas vlera e subvencionit të fituar ndahej mes tyre në përqindje të ndryshme të cilat shkonin deri në 70% për zyrtarët e AZHB-së.

Skema e përshkruar në aktakuzë tregon se aplikuesve që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së u siguroheshin në mënyrë të kundërligjshme certifikatat për bujqësi organike të cilat ishin si parakusht i përfitimit të subvencionit.

Aktakuza përshkruan se Luan Statovci, drejtor i pagesave në AZHB, qasej në lëndët e aplikuesve dhe fotografonte dokumentacionet e tyre e të cilat më pas i dërgonte përmes telefonit te vëllai i tij, Salih Statovci. Ky i fundit këto fotografi, sipas Prokurorisë, i dërgonte tek A. A., i cili në cilësinë e drejtorit të “Bio-Q-Check” lëshonte në mënyrë të kundërligjshme certifikata për bujqësi organike pa pasur ndonjë kontroll paraprak.

E gjithë kjo procedurë sipas organit ndjekës ndodhte pasi aplikuesit hynin në marrëveshje dhe bindeshin që t’i ndryshonin aplikacionet për subvencionimin e kulturave të tjera në aplikacionet për subvencionimin e mbjelljes së bimëve mjekësore.

Në këtë mënyrë ata akuzohen se u kanë mundësuar aplikuesve përfitim të kundërligjshëm dhe kanë dëmtuar mbi gjysmë milion euro buxhetin e vendit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit Jeton Sylaj, Luan Statovci dhe Hasan Maxharraj, ngarkohen me veprën penale – keqpërdorim i autoritetit zyrtar, kurse mbi Maxharrajn rëndon edhe akuza për mashtrim me subvencione.

Mbi të pandehurin Luan Statovci rëndojnë edhe akuzat për marrje ryshfeti në bashkëkryerje me Sadat Shkodrën, kurse Florim Nimonaj ngarkohet me veprën penale – dhënie ryshfeti.

Për veprën – falsifikim i dokumenteve ngarkohen të pandehurit Almir Abdurramani dhe Salih Statovci.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastet e njohura si ‘subvencionet’ mund t`i lexoni duke klikuar këtu.