Paratë e konfiskuara nga arrestimet e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Foto: KALLXO.com

Rasti ‘Subvencionet’, Gjykata e dënon me 5 mijë euro gjobë të akuzuarin Fuat Morina

Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me 5 mijë euro gjobë të akuzuarin Fuat Morina,  për veprën penale mashtrim me subvencione.

I akuzuari ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Fillimisht gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muaj, por, me propozimin dhe pajtimin e palëve pjesa e mbetur e dënimit i është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej pesëmijë euro duke iu llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndaj të akuzuarit gjykata gjithashtu ka konfiskuar shumën  e mjeteve në vlerë prej 27 mijw euro, ndërsa i akuzuari u obligua që në emër të dëmit të shkaktuar në mënyre solidare të paguaj shumën totale prej 109 mijw e 520 euro.

E dëmtuara Qeveria e Kosovës – Ministria  e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit

Rural në lidhje me kërkesat pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil.

Ish- drejtori i pagesave direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, Luan Statovci, dhe 20 persona të tjerë, në mesin e të cilëve zyrtarë dhe qytetarë, kanë përfunduar në aktakuzën voluminoze të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Në 130 faqe aktakuza përmban prova, fotografi, përgjime dhe dokumente përmes të cilave Prokuroria pretendon të vërtetojë njërën nga aferat më të mëdha korruptive në vend.

Akuza për dhënie ryshfeti, marrje ryshfeti, keqpërdorim, falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim me subvencione janë pjesë e kësaj dosje, ku dëmi i shkaktuar pretendohet të jetë mbi gjysmë milion euro.

Në pjesën më të madhe të kësaj aktakuze përmenden emrat e dy vëllezërve Statovci, njërit prej të cilëve i ishin sekuestruar mbi 400 mijë euro para të gatshme.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e cila është ngritur nga prokurori Rafet Halimi në të cilin përshkruhet se mbi gjysmë milion euro subvencione ishin dhënë për mbjelljen e bimëve mjekësore e cila në realitet nuk kishte ekzistuar.

Përmes aktakuzës Prokuroria pretendon se ka zbuluar afera të shumta korruptive me subvencione në të cilat ishin të përfshirë zyrtarë të shumtë të Agjencisë së Bujqësisë.

Sipas këtij organi, skema e korrupsionit ishte ndërtuar në atë formë që aplikuesit që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZhB-së, udhëzoheshin që të aplikonin për mbjelljen e bimëve mjekësore aromatike nga ku më pas vlera e subvencionit të fituar ndahej në mes tyre në përqindje të ndryshme të cilat shkonin deri në 70% për zyrtarët e AZhB-së.

Skema e përshkruar në aktakuzë tregon se aplikuesve që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZhB-së u siguroheshin në mënyrë të kundërligjshme certifikatat për bujqësi organike të cilat ishin si parakusht i përfitimit të subvencionit.

Aktakuza përshkruan se Luan Statovci, drejtor i pagesave në AZhB, qasej në lëndët e aplikuesve dhe fotografonte dokumentacionet e tyre e të cilat më pas i dërgonte përmes telefonit te vëllai i tij, Salih Statovci. Ky i fundit këto fotografi, sipas Prokurorisë, i dërgonte tek A.A., i cili në cilësinë e drejtorit të “Bio-Q-Check” lëshonte në mënyrë të kundërligjshme certifikata për bujqësi organike pa pasur ndonjë kontroll paraprak.

E gjithë kjo procedurë sipas organit ndjekës ndodhte pasi aplikuesit hynin në marrëveshje dhe bindeshin që t’i ndryshonin aplikacionet për subvencionimin e kulturave të tjera në aplikacionet për subvencionimin e mbjelljes së bimëve mjekësore.

Në këtë mënyrë ata akuzohen se u kanë mundësuar aplikuesve përfitim të kundërligjshëm dhe kanë dëmtuar mbi gjysmë milion euro buxhetin e vendit.

Në vijim KALLXO.com sjellë përshkrimin e të gjitha akuzave të ngritura ndaj zyrtareve dhe qytetareve për aferat korruptive në bujqësi, të njohura tashmë për opinionin si “Subvencionet 2021”:

Sipas aktakuzës, në korrik të vitit 2020, B.Sh. dhe bashkëshortja e tij A.S. kishte aplikuar në Komunën e Pejës për të përfituar subvencione për mbjelljen e grurit dhe misrit në sipërfaqe prej 83 hektarë si dhe mbjelljen e bimëve aromatike në sipërfaqe prej 96 hektarë.

B.Sh. më pas ishte takuar me të akuzuarit Alban Bushati dhe Salih Kelmendi, zyrtarë të Komunës së Pejës, më ç’rast ishin pajtuar që ta ndërronin aplikimin.

Me aplikuesit përshkruhet se ishin takuar edhe Berat Nika dhe Sadat Shkodra në Istog të cilët kishin kërkuar që aplikimi për mbjelljen e grurit dhe misrit të ndryshohej në bimë mjekësore duke u marrë veshë që 70% të shumës së subvencionit t’u takonte zyrtarëve ndërsa vetëm 30% aplikuesit B.Sh.

Akuza përshkruan se pasi ishte arritur marrëveshja për ndarjen e shumës së subvencionit, Salih Kelmendi dhe Alban Bushati kishin shkuar në AZhB dhe kishin paraqitur kërkesën për ndryshim të aplikacionit ndërsa Luan Statovci ia kishte dërguar të dhënat e aplikuesve vëllait të tij Salih Statovcit për t’u pajisur me certifikatat “Bio-Q-Check”, për prodhim organik dhe kishte kërkuar që të procedoheshin pa pagesë.

Sipas Prokurorisë, pasi shuma prej 180 mijë eurove kishte dalë në llogarinë bankare të aplikuesit B.Sh. dhe A.S., pjesën prej 92,500 eurove ua kishte dhënë të pandehurve Salih Kelmendi dhe Alban Bushati të cilën shumë të njëjtit e kishin ndarë me të akuzuarit Sadat Shkodra dhe Berat Nika e më pas edhe me të akuzuarin Luan Statovci. Aplikuesit sipas aktakuzës kishin për t’i dhënë edhe 33 mijë euro mirëpo pasi të akuzuarit ishin arrestuar atë shumë e kishin dorëzuar në Polici.

Luan Statovci dhe Salih Statovci akuzohen edhe se kishin kërkuar 90 mijë euro ryshfet nga K.B. për dhënien e subvencionit më ç’rast ky i fundit kishte aplikuar në Komunën e Pejës për subvencione. Edhe pse nuk kishte mbjellë asnjë bimë organike, pasi kishte ndryshuar aplikacionin sipas udhëzimeve, K.B. kishte përfunduar në listën e pagesave të AZhB-së dhe në llogarinë e tij përshkruhet se kishin dalë 245 mijë euro të cilat më pas i kishte ndarë me Salih Statovcin.

Vëllezërit Statovci akuzohen se kishin marrë ryshfet mbi 50 mijë euro edhe nga F.M. në Pejë. Ky i fundit kishte aplikuar për subvencione në Komunën e Pejës sipas udhëzimeve të Salih Statvcit për mbjelljen e bimëve mjekësore nga ku më pas të njëjtit në llogarinë bankare i kishin dalë 109 mijë euro e të cilat i kishte ndarë me vëllezërit Statovci.

Mbi 25 mijë euro Luan dhe Salih Statovci akuzohen se i kishin marrë edhe nga F.Z. pasi këtij të fundit përmes së njëjtës skemë i ishte mundësuar përfitimi i subvencionit në shumë prej 54 mijë eurove.

Në një tjetër rast Luan Statovci akuzohet se kishte marrë ryshfet nga D.K. shumën prej 2 mijë eurove të cilën e kishte vendosur në xhepin e djathtë të xhaketës përderisa më vonë e kishte ndarë me të akuzuarin Sadat Shkodra.Shkodra akuzohet edhe për një rast tjetër korrupsioni.

Sipas Prokurorisë ai në parkingun e një qendre tregtare kishte marrë 3 mijë euro ryshfet nga A.K. Aktakuza përshkruan se Sadat Shkodra paraprakisht kishte kërkuar 5 mijë euro ryshfet në mënyrë që të evitonte parregullsitë në dokumentacion, mirëpo më pas ishte pajtuar që të merrte vetëm 3 mijë euro pas marrjes së të cilave aplikuesit A.K. i kishin dalë në bankë shuma prej 13,500 eurove.Pjesë e aktakuzës janë edhe zyrtarë të Komunës së Istogut.

Hasan Maxharraj akuzohet se kishte aplikuar në emër të motrës së tij për përfitimin e subvencioneve për mbjelljen e shalqirit, dredhëzave, mollës dhe bimëve mjekësore aromatike. Sipas Prokurorisë aplikimi ishte bërë duke falsifikuar kontrata qiramarrëse me persona tjerë dhe e kishte vendosur lëndën në sistem nga ku më pas mbi bazën e këtyre të dhënave të falsifikuara kishte përfituar si subvencion shumën prej 42 mijë eurove. Maxharraj akuzohet për mashtrim në subvencione dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Akuza të rënda bien edhe në dy zyrtarët e tjerë Jeton Sylaj dhe Kushtrim Zogaj. Sipas Prokurorisë Jeton Sylaj kishte pranuar aplikacionin e D.M., i cili për përfitimin e subvencioneve kishte aplikuar me pronën komunale 25-hektarëshe, e cila ndodhej në fshatin Veriq. Këtë aplikacion Sylaj e kishte vendosur në sistem edhe pse ka pasur mospërputhje të parcelës dhe me këto veprime i kishte mundësuar D.M. që të përfitonte 15 mijë euro subvencion. Ndërsa Zogaj akuzohet se kishte marrë ryshfet në këtë rast.

Në rastin e D.M. akuzohen edhe zyrtarët Musa Nivokazi dhe Lulzim Hajdaraj të cilët e kishin inspektuar pronën për të cilën ishte dhënë subvencioni. Ata akuzohen se përpiluan raporte të rreme gjatë kontrollit dhe kishin konstatuar se ka pasur të mbjella ndonëse të realitet të njëjtat nuk kishin ekzistuar më çka akuzohen se kanë kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë.

Për keqpërdorim akuzohet edhe zyrtarja e AZhB-së Habibe Dauti. Ajo akuzohet se edhe përkundër raportit se F.Z. nuk kishte mbjellë asgjë për të cilën kishte aplikuar, e kishte aprovuar për pagesë aplikacionin e tij dhe i kishte shkaktuar dëm buxhetit mbi 50 mijë euro.

Pjesë e aktakuzës janë edhe personat të cilët kanë përfituar subvencione nga zyrtarët e AZhB-së.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi të këtij rasti që nga fazat hetimore e deri te ngritja e aktakuzës.

Dosja e Prorkurorisë: Për çka dyshohen 21 të arrestuarit në rastin ‘Subvencioni’?