Foto: KALLXO.com

Rasti “Subvencionet 1”, i akuzuari: Nuk kam pasur asnjë rol në përzgjedhjen e fermerëve në listat e përfituesve të subvencioneve

Në gjykimin e të akuzuarve në rastin e njohur si “Subvencionet 1” ka dhënë mbrojtjen i pandehuri Almir Abdurramani, ndërsa dy të pandehurit e tjerë, Florim Nimanaj dhe Afrim Abazaj, kanë zgjedhur të drejtën që të mbrohen në  heshtje.

I akuzuari Almir Abdurramani në seancën e datës 15.11.2024 fillimisht u përball me pyetjet e avokatit të tij, Bekim Kafexholli.
Ai gjatë marrjes në pyetje nga avokati  i tij tha se gjatë periudhës 2020-2021 kishte njohur vetëm Salih Statovcin ndërsa personat e tjerë në aktakuzë nuk i kishte njohur asnjërin.

“Salih Statovci rreth vitit 2018 nuk jam i saktë me vitin më ka kontaktuar në cilësinë e klientit dhe ka shprehur interes për implementimin dhe certifikimin e kompanisë “EKO Frut”- tha Abdurramani.

Pas shprehjes së interesit ata si kompani i kishin bërë ofertën zyrtare dhe pas pranimit të ofertës nga ana e tyre ata kishin vazhduar me procedurat e certifikimit ndërkohë gjatë punës, takimeve dhe vizitave që kishin bërë në kompaninë “EKO Frut” ai kishte kuptuar se Salih Statovci me profesion ishte inxhinier i bujqësisë dhe se njëkohësisht kishte punuar edhe si konsulent në kompaninë tjetër.

“Nuk kemi pasur asnjë marrëveshje në lidhje me subvencionet apo aplikimet për subvencione, as me gojë e as me shkrim“ – shtoi tutje i akuzuari Almir Abdurramani.

Ai gjatë marrjes në pyetje nga avokati i tij tha se biznesi “Bio-Q-Check” është i themeluar nga një aksionar grek, i cili operon në disa shtete, përfshirë edhe Kosovën, dhe ka ofruar aktivitetet e inspektimit dhe certifikimit mbi standardet ushqimore. Ndërsa ai kishte qenë i angazhuar në administrimin e dokumenteve dhe auditimin dhe raportimin e të drejtave, por certifikatat për fermerët ishin lëshuar nga zyrtarë dhe menaxhmenti në Greqi dhe jo nga ai.

“Unë asnjëherë nuk kam pasur kompetencë për lëshimin e certifikatave dhe asnjë nga këto certifikata nuk i kam lëshuar unë”– tha i akuzuari Almir Abdurramani.

Sa u përket provave të paraqitura nga Prokuroria, i akuzuari tha se asnjë provë nuk vërteton përfshirjen e tij në aktivitete të paligjshme.

“Sa i përket provave, dëshmive të paraqitura nga Prokuroria  përmes rrugëve ndërkombëtare dëshiroj të konfirmoj me siguri të plotë se asnjë provë nuk vërteton përfshirjen time në ndonjë veprim të paligjshëm përveç disa gabimeve teknike të cilat janë të pranuara dhe asgjë nuk më implikon në përgjegjësinë time të drejtpërdrejtë. Këto gabime nuk janë ekskluzivisht nga ana ime por kanë qenë edhe rezultat i veprimeve nga kolegët e mi në zyrën në Greqi “ – tha i akuzuari Abdurramani.

“Me ketë deklaratë konfirmoj dhe garantoj se asnjë provë e paraqitur në rrugët ndërkombëtare nuk vërteton se kam bërë ndonjë shkelje për të cilën akuzohem. Megjithatë është shumë e rëndësishme të theksohet që këto gabime nuk kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e dhënies së subvencioneve” – tha i akuzuari Abdurramani.

Ai po ashtu tha se nuk kishte pasur asnjë rol, përgjegjësi, ndikim në vendosjen apo përzgjedhjen e fermerëve në listat përfituese për subvencione.

“Nuk kam pasur asnjë rol, përgjegjësi apo ndikim në vendosjen, vlerësimin apo përzgjedhjen e fermerëve në listat përfituese për subvencionet sepse kjo s’ka qenë përgjegjësi apo detyrë e imja” – tha i akuzuari Abdurramani gjatë seancës së sotme.

Ndërsa gjatë pyetjeve të prokurorit Rafet Halimit, i akuzuari deklaroi se të gjitha certifikatat për bimët mjekësore dhe aromatike ishin lëshuar nga zyra në Greqi dhe asnjëra prej tyre nuk ishte nënshkruar nga ai.

Paraprakisht në seancën e sotme nuk prezantoi i akuzuari Lulzim Hajdaraj, për të cilin mbrojtësi i tij bëri të ditur se nuk mund të jetë prezent në seanca deri në muajin shkurt andaj propozoi që të vazhdohet gjykimi në mungesë.

Këtë propozim të avokatit e aprovoi trupi gjykues, i cili mori vendim që kjo çështje penale të mbahet në mungesë të të akuzuarit Lulzim Hajdaraj për shkak se i akuzuari ka qenë i njoftuar për mundësitë e gjykimit në mungesë nga seancat e kaluara, dhe ka qenë i njoftuar për datën e kësaj seance.

Seanca e sotme u ndërpre ndërsa e radhës pritet që të mbahet më 18.11.2024.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special në Gjykatën e Prishtinës në përbërje të trupit gjykues Kujtim Krasniqi (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët, Lutfi Shala dhe Valon Kurtaj.

Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Rafet Halimi.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Përmes aktakuzës, Prokuroria pretendon se ka zbuluar afera të shumta korruptive me subvencione në të cilat ishin të përfshirë zyrtarë të shumtë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Sipas këtij organi, skema e korrupsionit ishte ndërtuar në atë formë që aplikuesit që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së udhëzoheshin që të aplikonin për mbjelljen e bimëve mjekësore aromatike nga ku më pas vlera e subvencionit të fituar ndahej mes tyre në përqindje të ndryshme të cilat shkonin deri në 70% për zyrtarët e AZHB-së.

Skema e përshkruar në aktakuzë tregon se aplikuesve që hynin në marrëveshje me zyrtarët e AZHB-së u siguroheshin në mënyrë të kundërligjshme certifikatat për bujqësi organike të cilat ishin si parakusht i përfitimit të subvencionit.

Aktakuza përshkruan se Luan Statovci, drejtor i pagesave në AZHB, qasej në lëndët e aplikuesve dhe fotografonte dokumentacionet e tyre e të cilat më pas i dërgonte përmes telefonit te vëllai i tij, Salih Statovci. Ky i fundit këto fotografi, sipas Prokurorisë, i dërgonte tek A. A., i cili në cilësinë e drejtorit të “Bio-Q-Check” lëshonte në mënyrë të kundërligjshme certifikata për bujqësi organike pa pasur ndonjë kontroll paraprak.

E gjithë kjo procedurë sipas organit ndjekës ndodhte pasi aplikuesit hynin në marrëveshje dhe bindeshin që t’i ndryshonin aplikacionet për subvencionimin e kulturave të tjera në aplikacionet për subvencionimin e mbjelljes së bimëve mjekësore.

Në këtë mënyrë ata akuzohen se u kanë mundësuar aplikuesve përfitim të kundërligjshëm dhe kanë dëmtuar mbi gjysmë milion euro buxhetin e vendit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit Jeton Sylaj, Luan Statovci dhe Hasan Maxharraj, ngarkohen me veprën penale – keqpërdorim i autoritetit zyrtar, kurse mbi Maxharrajn rëndon edhe akuza për mashtrim me subvencione.

Mbi të pandehurin Luan Statovci rëndojnë edhe akuzat për marrje ryshfeti në bashkëkryerje me Sadat Shkodrën, kurse Florim Nimonaj ngarkohet me veprën penale – dhënie ryshfeti.

Për veprën – falsifikim i dokumenteve ngarkohen të pandehurit Almir Abdurramani dhe Salih Statovci.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastet e njohura si ‘subvencionet’ mund t`i lexoni duke klikuar këtu.