Arkiv - Ilustrim

Rasti ‘Stenta 3’, anulohet seanca

Seanca gjyqësore e paraparë të mbahej sot më 17.07.2024 për rastin “Stenta 3” ndaj të akuzuarve: Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani, Arton Beqiri, Lulzim Brovina, Mahmut Qakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Blerim Zuna të cilit akuzohen nga Prokuroria për dhënie ryshfeti, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor dhe vepra të tjera të ngjashme është anuluar.

Njoftimin për anulimin e seancës e ka bërë me njoftim zyrtar vet kryetari trupit gjykues, gjyqtari Alban Ajvazi, me arsyetimin se është në pushim mjekësor.

Seanca e radhës do të mbahet më datën 23.07.2024.

Kujtojmë që rasti “Stenta” konsiderohet si një ndër rastet më të mëdha mediatike që ka të bëjë me përfshirjen e mjekëve në afera korruptive.

Në ketë rast ishin akuzuar mbi 60 persona, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publikë e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie e ryshfetit, trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangie nga tatimi.

Rasti ishte ndarë në tri pjesë duke marrë emërtime si “Stenta 1”, “Stenta 2”, dhe “Stenta 3”, meqë kishte përafërsisht 60 të akuzuar.

Në rastin e njohur si “Stenta 1”, të akuzuar ishin ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i të njëjtës ministri, Gani Shabani, të cilët ishin liruar nga akuza, lirimin e të cilëve e kishte  vërtetuar edhe gjykata e shkallës së dytë.

“Stenta 2 ” po ashtu kishte përfunduar me aktgjykim lirues për të akuzuarit më 20 shtator të vitit 2023. Në këtë rast akuzoheshin 36 persona, rasti ende nuk ka marrë epilog pasi nuk dihet ende nëse Prokuroria do ta ushtrojë të drejtën e ankesës apo jo.

Në rastin e njohur si “Stenta 3” të akuzuar janë Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani e Arton Beqiri akuzohen se kanë dhënë ryshfet.

Të lartcekurit akuzohen se nga vitit 2011 e deri në fund të vitit të vitit 2015 në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me të akuzuar që gjykohen në rastin e njohur si “Stenta 2” janë marrë vesh që t`i referojnë pacientët për procedura mjekësore në spitale private, ndonëse të njëjtit kishin kërkuar shërbime në spitale publike.

Për këto referime të njëjtit akuzohen se kanë dhënë shuma të caktuar të të hollave.

Pos të lartcekurve të akuzuar për dhënie ryshfeti janë edhe Lulzim Brovina e Borche Petrovski, të cilët kishin punuar në spitalin “EDA”.

Ndërsa edhe disa persona, siç janë: Mahmut Qakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Arton Beqiri, akuzohen për trajtim të pa ndërgjegjshëm mjekësor.

Këta sipas aktakuzës akuzohen se kanë përdorur mjete dhe metoda të pa përshtatshme për mjekimin e personave që kanë kërkuar trajtim në spitalin “IHM”.

Sipas aktakuzës për ushtrim të veprimtarisë së kundërligjshme mjekësorë janë edhe Lulzim Brovina, Borche Petrovski dhe Blerim Zuna për periudhën e njëjtë kohore të specifikuar si më lartë, 2011-2015.

Të njëjtit akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, se kanë punuar kohë pas kohe si mjekë edhe pse të pa licencuar në spitalin “Intermed”, ky i fundit – spital i cili ka qenë kohë pas kohe i pa licencuar.

Në këtë rast të akuzuar janë edhe tri subjekte juridike, spitali “IMH”, “Intermed” dhe spitali “Doktori”.

Dy të parët akuzohen për dhënie ryshfeti dhe trajtim të pa ndërgjegjshëm mjekësor kurse spitali “Doktori” akuzohet për shmangie nga tatimi.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastet ‘Stenta’ mund t`i lexoni duke klikuar në LINK