I akuzuari, Enver Sekiraqa - 11 korrik 2023, Foto: Aulona Alaj/ KALLXO.com

Rasti Sekiraqa - Suspendimi i gjyqtarit Agim Kuçi, Zogaj kritikë ndaj atyre që nxorën detaje nga raporti i panelit hetimor  

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, në një intervistë për “KallxoPernime”, ka folur lidhur me veprimet e ndërmarra ndaj gjyqtarit Agim Kuçi, i cili kishe marrë vendim që Enver Sekiraqa të mbrohej në liri pak pasi ishte dënuar me 25 vjet burg.

Disa media vendore kishin raportuar se paneli hetimor i KGJK-së nuk ka gjetur shkelje te veprimet e gjyqtarit Kuçi.

Por sipas Albert Zogajt, cilado palë që ka nxjerrë informacione në publik lidhur me raportin e panelit hetimor, ka kryer shkelje.

“Kushdo që e ka nxjerrë në publik përmbajtjen e raportit të panelit hetimor ka kryer shkelje të konfirmuar. Kjo është një kritikë serioze për trupat e KGJK-së, për panelin hetimor pa përjashtu këtu edhe gjyqtarin i cili ka qenë subjekt hetimi dhe të tjerët që e kanë nxjerrë raportin në publik”- tha Zogaj.

Agim Kuçi kishte marrë vendim të veçantë me të cilin i kishte hequr masën e arrestit shtëpiak të akuzuarit Sekiraqa.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës e kishte suspenduar gjyqtarin Agim Kuçi lidhur me rastin e heqjes së masës së arrestit shtëpiak për Enver Sekiraqën. Ndërsa kishte krijuar panelin hetimor për ta gjykuar këtë rast.

“Paneli hetimor nuk konfirmon as përgjegjësi as pafajësi në procesin e hetimit, thjeshtë i sjellë faktet te KGJK”-  tha Zogaj.

Zogaj nuk pranoi të jepte detaje se si do të vendoset lidhur me këtë rast.

Kryesuesi sqaroi për publikun se nëse ka prova dhe fakte se një gjyqtar ka vendosur që t`i ndihmojë dikujt apo t`i bëj dëm dikujt tjetër me ndonjë vendim, më nuk do të ketë përgjegjësi disiplinore, por ka përgjegjësi penale.

“Nëse ka prova dhe fakte se një gjyqtar ka votu si anëtar i panelit, si kryetar apo si gjyqtar i vetëm për me marrë një vendim me i ndihmu një personi apo me dëmtu dikon, apo me përfitu për vete ka kry vepër penale”- tha Zogaj.

Gjyqtari Agim Kuqi është gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Enver Sekiraqa, i akuzuar se ka nxitur Arben Berishën për ta vrarë policin Triumf Riza, ishte dënuar nga shkalla e parë me 25 vjet burgim.

Sekiraqa, që nga 17.05.2024 vazhdon të mbetet i paarritshëm për Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë, ndonëse ndaj tij tashmë ekziston një vendim që të kthehet në paraburgim.

Agim Kuçi kishte marrë vendim të veçantë me të cilin i kishte hequr masën e arrestit shtëpiak të akuzuarit Sekiraqa, duke e lënë të mbrohet në liri.

Por, Gjykata e Apelit më 17.05.2024 ka marrë vendim për ta kthyer në paraburgim Enver Sekiraqën.

Policia kishte konfirmuar se Sekiraqa nuk ishte gjetur në dy lokacione në të cilat ishte kërkuar.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e kishte suspenduar gjyqtarin Agim Kuçi lidhur me rastin e heqjes së masës së arrestit shtëpiak për Enver Sekiraqën.

Vendimi për suspendimin e gjyqtarit është marrë me shumicë të votave në KGJK.

Gjykimi maratonik ndaj Enver Sekiraqës, i nisur në vitin 2014, ka rezultuar me tri dënime të deritanishme.

Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 36 vjet burgim, kurse me 30 vjet burgim në vitin 2019. E më 03.05.2024 u dënua me 25 vjet burgim për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës.

Enver Sekiraqa i paarritshëm për policinë, flet avokatja e tij

Raportimet e KALLXO.com – LINK