Ilustrimi: Trembelat

Rasti Kleçka në Kosovë nuk ishte një shaka

Një ish-kryegjyqtar i misionit të sundimit të ligjit të BE-së gaboi kur pretendoi se çështja kundër guerileve të Kosovës të akuzuar për abuzim me të burgosurit në burgun Kleçka të kohës së luftës ishte e dobët, shkruan gjykatësi Dean B. Pineles, i cili ishte pjesë e trupit gjykues.

Më 12 korrik, gjykatësi Malcolm Simmons, i cili ishte president i Asamblesë së Gjyqtarëve për misionin e sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, nga 2014 në 2017, paraqiti dëshminë me lidhje video para një komisioni të Kuvendit të Kosovës në të cilën ai bëri një sërë akuzash serioze kundër EULEX-it, duke përfshirë politizimin e gjykimeve penale nën juridiksionin e misionit.

Kam shërbyer si gjyqtar ndërkombëtar penal amerikan në EULEX për 28 muaj, nga shkurti 2011 deri në maj 2013. Kam qenë gjithashtu anëtar i trupit gjykues për çështjen e parë të krimeve të luftës Kleçka nga 2011-12 (dhe çështja e parë Medicus nga 2011- 13), dhe dëshiroj t’i përgjigjem komenteve shumë të pasakta të Simmons për Kleckën për hir të saktësisë historike.

Së pari, më lejoni të them se para se gjyqtari Simmons të ngrihej në presidencën e Asamblesë së Gjyqtarëve, ai gjithashtu shërbente si një gjyqtar ndërkombëtar penal nga Mbretëria e Bashkuar. Unë kam qenë bashkë me të pjesë e një trupi gjykues në një rast vrasjeje në Prizren në vitin 2011 dhe e konsideroja pjesëmarrjen e tij si shumë profesionale.

Nuk kam punuar kurrë me të në ndonjë çështje tjetër, por ishim të dy anëtarë të kuadrit relativisht të vogël të gjykatësve ndërkombëtarë dhe do ta konsideroja atë një mik.

Nuk kam njohuri personale në lidhje me pretendimet e tij kundër EULEX dhe nuk do ta prek këtë pjesë. Por  dua të sfidoj karakterizimin e tij të çështjes Kleçka, e cila ishte një nga çështjet të profilit më të lartë që është gjykuar nga EULEX. Në videon në YouTube të prezantimit të tij, ai bën disa deklarata gjithëpërfshirëse që janë plotësisht në kundërshtim me përvojën time në këtë çështje.

Simmons thotë se çështja nuk duhet të kishte shkuar kurrë në gjykatë sepse provat ishin shumë të dobëta; se asnjë vend në botë nuk do të procedonte me një rast të tillë; se kishte pak mundësi për sukses; dhe se në Mbretërinë e Bashkuar, çështja do të konsideruar “qesharake”.

Ai thotë gjithashtu se çështja ishte e motivuar politikisht dhe, përkundër dobësisë së saj, u gjykua vetëm sepse një dënim kundër ushtarëve dhe komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbështeste dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve, një qëllim kryesor i EULEX-it.

Nuk pajtohem aspak me këtë karakterizim. Sipas mendimit tim, çështja që iu paraqit trupit gjykues, pjesë e të cilit isha edhe unë, ishte plotësisht e denjë për një gjykim të plotë, si ligjërisht ashtu edhe faktikisht.

Çështja Kleçka filloi në vitin 2009 kur Agim Zogaj, një ish-roje në kampin e burgimit të UÇK-së në Klecka në fund të viteve 1990, shkoi në polici dhe u tha atyre se ai kishte mbajtur një ditar të fshehtë të hyrjeve dhe daljeve të të gjithë të burgosurve (serbë dhe bashkëpunëtorët shqiptarë).

Zogaj pretendoi se trajtimi i të burgosurve ishte çnjerëzor dhe se disa prej tyre ishin ekzekutuar me urdhër të Fatmir Limajt, komandantit të kampit, i cili pas luftë u bë një figurë kryesore politike në Kosovë.

Me kalimin e kohës, Zogaj ofroi deklarata të shumta shtesë për policinë dhe prokurorinë ndërsa ata zhvillonin hetimin e tyre, të gjitha këto ishin konsistente. Deklaratat e tij në lidhje me ekzekutimet, duke përfshirë përdorimin e një kosë si armë vrasjeje, u vërtetuan nga provat mjeko-ligjore, përfshirë zhvarrosjet.

Kishte edhe dëshmitarë dhe dokumente të tjera që mbështesnin pjesë të deklaratave të Zogajt, megjithëse ai ishte i vetmi që mund të identifikonte autorët.

Në verën e vitit 2011, pasi kishte përfunduar hetimi intensiv, por para se të ngrihej aktakuza, prokurori e vuri Zogajn në dispozicion për shqyrtim nën betim nga avokatët mbrojtës që përfaqësonin dhjetë individët që po hetoheshin, përfshirë Fatmir Limaj.

Zogaj u mor në pyetje gjatë katër ditëve për gjithsej 19 orë dhe iu bënë më shumë se 1,000 pyetje. Përgjigjet e tij ishin në përputhje me njëra-tjetrën dhe me deklaratat e tij paraprake, të cila u ishin vënë të gjitha në dispozicion avokatëve mbrojtës.

Prokurori pastaj ngriti aktakuzën duke pretenduar krime të ndryshme lufte bazuar në sa më sipër, dhe aktakuza u konfirmua në mënyrë të pavarur nga një gjykatës i EULEX-it, që do të thotë se kishte një bazë ligjore dhe faktike për të kaluar në gjyq.

Zogaj u vendos më pas në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe që atëherë u njoh si Dëshmitari X. Tragjikisht, ai kreu vetëvrasje duke u varur në Gjermani pak para se gjyqi të planifikohej të fillonte në nëntor 2011.

Ai ishte nën presion të madh si nga prokuroria ashtu edhe nga mbrojtja dhe ishte i dëshpëruar për të gjetur një mënyrë për të mbrojtur familjen e tij

Unë kam qenë anëtar i trupit gjykues, së bashku me kryetarin e trupit gjykues nga Mbretëria e Bashkuar (jo gjyqtarin Simmons) dhe një gjyqtar nga Kosova.

Ndërsa filloi gjykimi, gjykata duhej të vendoste nëse deklaratat, dëshmitë e betuara dhe ditari i Zogajt ishin të pranueshme si prova tani që ai ishte i padisponueshëm si dëshmitar.

Sipas ligjit në fuqi, kjo varej nëse avokatit mbrojtës i ishte dhënë një mundësi e përshtatshme për t’u përballur dhe për ta marrë atë në pyetje para se ai të ndërronte jetë.

Kjo çështje ligjore ishte subjekt i një debati intensiv gjatë disa seancave të nxehta në sallën e gjyqit, e cila ishte e mbushur me mbështetës të të pandehurve; tensioni ishte i dukshëm. Në fakt, kryetari i trupit gjykues dhe unë ishim të detyruar të shkonim dhe të vinim nga gjykata me një makinë të blinduar.

Avokatët e mbrojtjes argumentuan se marrja në pyetje ishte joadekuate dhe atyre do t’u mohohej e drejta për të marrë në pyetje Zogajn gjatë gjykimit aktual në dritën e të gjitha provave të tjera që mund të pranohen, përfshirë provat e mbrojtjes.

Mendim mospajtues

Pas seancave dëgjimore për këtë çështje ligjore, ne të tre në trupin gjykues duhet të vendosnim rezultatin.

E debatuam gjatë çështjen në dhomat tona. Kryetari i trupit gjykues dhe gjyqtari i Kosovës u bindën nga argumentet e mbrojtjes dhe vendosën që provat e Zogajt ishin të papranueshme.

Ata më pas votuan për të liruar të pandehurit nga akuzat, të cilët nuk mund të dënoheshin pa provat e Zogajt.

Megjithatë, unë nuk u binda dhe publikova një mendim mospajtues prej 23 faqesh, më datë 23 mars 2012, siç autorizohem sipas kodit të procedurës penale.

Arsyetimi im nuk ishte që të pandehurit ishin fajtorë, por se provat ishin të pranueshme dhe po ashtu ishin të mjaftueshme për të garantuar një gjykim bazuar në to. Vendimi im mbështetej nga praktika gjyqësore përkatëse nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Vendimi me shkrim u vendos më pas në dosjen gjyqësore, për të mos u zbuluar përveçse në Gjykatën e Lartë në apel. (Një kopje është në dispozicion këtu.)

Në një seancë pasuese në pranverën e vitit 2012, vendimet për lirim nga akuzat u njoftuan nga kryetari i trupit gjykues, të cilat gëzuan të pandehurit dhe zemëruan prokurorin, i cili apeloi menjëherë.

Pastaj, në mënyrë të konsiderueshme, në nëntor 2012, Gjykata e Lartë e rrëzoi vendimin e pafajësisë dhe e ktheu çështjen për një gjykim të ri dhe, duke vepruar kështu, miratoi shumë nga arsyetimet në mendimin tim mospajtues. Gjithashtu përcaktoi që provat e Zogajt ishin të pranueshme.

Çështja u rigjykua më pas, me gjyqtarin Simmons si kryetar të trupit gjykues, dhe të pandehurit u shpallën të pafajshëm. Ky vendim u la përfundimisht në fuqi nga një tjetër vendim nga Gjykata e Lartë.

Ndërsa unë nuk kam asnjë kundërshtim me këtë rezultat, pasi ai u bazua në në shqyrtim të plotë të të gjitha provave në gjykim, jo ​​thjesht në një vlerësim paragjyqësor, ai nuk e mohon faktin se aktakuza origjinale kishte qëndrueshmëri të qartë kur iu paraqit fillimisht trupit gjykues, siç përcaktohet me vendimin e parë të Gjykatës së Lartë. Zor se ishte “qesharake”.

Ndërsa nuk mund të adresoj motivet e gjyqtarit Simmons në bërjen e këtyre deklaratave të çuditshme, ndoshta mund të jetë që ai dëshiron të minojë vlefshmërinë e çështjes në mënyrë që të mbështesë narrativën e tij që çështja u procedua vetëm për arsye politike dhe jo për shkak të meritës së saj.

Ndërsa nuk kam njohuri personale të makinacioneve të zyrtarëve të EULEX-it të cilët dëshironin një dënim në këtë çështje, qoftë në Kosovë apo Bruksel, unë mund të deklaroj pa dyshim për veten time se kurrë nuk kam qenë nën presion nga askush, edhe pse isha unë që votova për vazhdimin e gjyqit.

Kjo përfshin zyrtarë në ambasadën amerikane në Prishtinë, me të cilët qëllimisht nuk kam pasur asnjë kontakt gjatë mandatit tim në Kosovë, në mënyrë që të mbetem plotësisht i pavarur.

Në fakt, nëse do të më kishin bërë presion për arsye politike, do ta kisha refuzuar atë. Dhe nuk ka gjasa që kryetarit të trupit gjykues dhe gjyqtarit nga Kosova t’u jetë bërë presion për të dënuar, pasi ata votuan për lirim nga akuzat.

Gjyqtari Dean B. Pineles është diplomuar në Broën University, Boston University Law School dhe Kennedy School of Government në Universitetin e Harvardit. Ai ka shërbyer si gjyqtar ndërkombëtar me EULEX-in nga viti 2011 deri në vitin 2013. Përveç se në Kosovë, ai ka eksperiencë në sundimin e ligjit në Rusi, Kazakistan dhe Gjeorgji dhe po shkruan një libër mbi përvojat e tij në këto vende.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.