Rasti "Insajderi": Ardian Alajt i caktohet arresti shtëpiak për 30 ditë

Gjykata në Prishtinë i ka caktuar arrest shtëpiak në afat prej 30 ditëve Ardian Alajt, i cili ishte arrestuar me datë 17 qershor nën dyshimin për ‘Ndërhyrje në sisteme kompjuterike’, ‘Vetëgjyqësi’ dhe ‘Keqpërdorim të besimit’.

Sipas aktvendimit, arresti shtëpiak i është caktuar nga data 17 qershor deri më 17 korrik 2020.

Avokati i Alajt, Durim Osmani në një prononcim për KALLXO.com kishte thënë se arrestimi i klientit të tij është një ndër arrestimet më të paligjshme që ka ndodhur pas luftës në Kosovë.

Sipas tij, arrestimi ka ndodhur pa kurrfarë baze ligjore.

“Fillimisht nuk ka ndonjë dyshim të bazuar, për shkak se çështja e domainit dhe faqes së ‘Facebook’ e Insajderi.com, është një çështje teknike që vërtetohet shumë lehtë dhe hetuesia i ka pasë një pjesë të atyre provave, që vërtetohet lehtë që nuk ka pasur ndërhyrje në sistemin kompjuterik. Dihet se si ndodhë ndërhyrja në sistem kompjuterik”, ka thënë Osmani.

Nga e enjtja me 18 qershor, beteja për portalin “Insajderi.com” është bartur në Gjykatën e Prishtinës.

Në lidhje më këtë çështje  për herë të parë në sallën e gjykimit janë paraqitur përfaqësuesit e palëve Florim dhe Ardian Alaj si dhe Vehbi Kajtazi e Parim Olluri.

Kjo seancë është mbajtur me kërkesë të propozuesve Vehbi Kajtazi dhe Parim Olluri, të cilët po pretendojnë se Alajt e kanë marrë nën kontroll portalin në mënyrë të paautorizuar.

VIDEO: Çështja “Insajderi”, fillon ballafaqimi në Gjykatë