Rasti i zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi, gjenden mbetje mortore në rajonin e Novobërdës

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), lidhur me rastin e zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi.

Sipas komunikatë së Prokurorisë, mbetjet mortore do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin.

“Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e ‘Rrëmbimit’ dhe të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e këtyre mbetjeve mortore”- theksoi Prokuroria.

“Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore, andaj lidhur me zhvillimet e tjera rreth këtij rasti do t’iu mbajmë të informuar” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Biznesmeni Rexhepi nga Prishtina ishte zhdukur më 8 prill të vitit 2021 rreth orës 16:30.

Që nga fillimi në lidhje me këtë rast ka pasur disa persona të dyshuar për zhdukjen e Rexhepit.

Për po të njëjtin rast, në gusht të vitit 2021 ishte arrestuar edhe S.G, ndaj të cilit gjykata kishte shqiptuar edhe masën e paraburgimit.
Lidhur me këtë rast ishte arrestuar edhe një grua. Arrestimi kishte ndodhur në qershor të këtij viti.

Familjarët dyshimet më të mëdha i kishin në një klient me të cilin bashkëpunonte biznesmeni Rexhepi.

Më 19 gusht 2022, Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve ndaj N.V., dhe Xh.V., të dyshuar në rastin e zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi.

Në dosjen e Prokurorisë së Prishtinës, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se të dyshuarit N.V. dhe Xh.V., i kishin siguruar mjetin e udhëtimit të dyshuarit J.V., e që sipas prokurorisë është i dyshuari kryesor i implikuar në rrëmbimin e Bedri Rexhepit.

Dosja e prokurorisë thotë se me këto veprime ekziston dyshimi që ata kanë kryer veprën penale të rrëmbimit.

Në kërkesën e prokurorisë thuhet se sipas videoincizimeve vetura me pronar të dyshuarën Xh.V., ndërsa autorizimin për veturë e ka pasur i dyshuari N.V.

Kjo veturë është gjetur afër vendit ose lokacionit ku është gjetur vetura e tani të dëmtuarit Rexhepi.

Sipas prokurorisë, paraburgimi është kërkuar sepse ekziston rreziku për pengim të procedurës nga të dyshuarit. Kjo pasi në fazat e mëhershme, të dyshuarit në cilësinë e dëshmitarëve kanë dhënë informacione të gabueshme me qëllim të fshehjes së provave.