Foto: KALLXO.com

Rasti i vdekjes së 7-vjeçares gjatë ekzaminimit, çka deklaruan në Gjykatë prindërit e saj?

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Alban Gjonbalajt dhe Arben Kutllovcit, të cilët po akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të akuzuarit gjatë punës së tyre si mjekë me rastin e dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor nuk i kishin zbatuar rregullat e profesionit të kujdesit shëndetësor duke vepruar haptazi në mënyrë të pakujdesshme, duke përdorur mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit, dhe si rezultat i këtyre veprimeve kishte ndodhur edhe vdekja e pacientes T.H.

Në seancën e 04.09.2024 kanë dhënë dëshminë prindërit e të ndjerës.

Fillimisht dëshminë e ka dhënë nëna e të ndjerës, Lutfije Haxhiu, e cila ishte dëshmitare e propozuar nga Prokuroria.

Ajo gjatë dëshmisë së saj rrëfeu se më 03.08.2020 kishte biseduar në telefon me doktor Arben Kutllovcin dhe përmes telefonit ishin dakorduar për datën e paraqitjes në klinikë. Të nesërmen e kishin dërguar vajzën në ora 09:00. Alban Gjonbalaj (anesteziologu) ishte vonuar 30 minuta ndërsa pasi kishte ardhur ajo e kishte përgatitur vajzën dhe ai asnjë pyetje nuk ia kishte bërë.

“Para se të fillonte rezonanca magnetike ai as nuk e kishte peshuar vajzën” – deklaroi dëshmitarja Lutfije Haxhiu.

Në lidhje me ditën kritike ajo rrëfeu së në momentin kur ishte bërë ekzaminimi ajo kishte qenë te dera dhe vajza kishte qenë vetëm ndërsa pas 10 minutave përafërsisht ai ia kishte dhënë vajzës shiringën me anestezion dhe asaj i ishte dukur shumë shpejt dhe vajzës i kishin mbetur sytë e hapur.

Ajo rrëfeu se 30 minuta kishte zgjatur deri në atë kohë, bashkëshortit i kishte thënë të priste jashtë, të pinte një kafe ndërsa ajo kishte mbetur vetëm aty ndërsa pas 30 minutave e kishte parë anesteziologun dhe teknikun duke vrapuar në drejtim ku ishte vajza e saj.

“Unë kam vrapuar te vajza, jam munduar ta shtrij ndërsa anesteziologu ka vrapu e ka marrë shiringën e ka mbushur plot dhe ia ka dhënë medikamentin njësoj si herën e parë”- deklaroi nëna e 7-vjeçares gjatë dëshmisë së saj.

“Ja ka jep edhe shpejt, edhe plot“ – shtoi tutje dëshmitarja Lutfije Haxhiu.

Vajza e saj i kishte pasur 17 kilogramë. Pasi që ia kishin dhënë dozën e dytë të anestezionit, pas 20 apo 15 minutave, kishte dëgjuar një zë dhe kishte dashur ta shohë vajzën e saj përsëri mirëpo nuk e kishin lejuar ta shikonte më.

“S’e di a kanë shku 20 minuta apo 15 minuta pasi nuk e kam shikuar më orën dhe i kam pa prapë duke vrapu te vajza, edhe unë si herën e parë menjëherë me ta. Po e shoh vajzën, iu kishin nxi buzët. Gjonbalaj e tha një fjalë si sharje diçka se çfarë ndodhi” – rrëfeu dëshmitarja Haxhiu.

Në atë moment kur e kishte parë që vajza nuk ishte mirë e kishte thirrur menjëherë bashkëshortin e saj.

Tutje rrëfeu se kishin telefonuar ndihmën e shpejtë mirëpo ndihma e shpejtë ishte vonuar më shumë se 30 minuta dhe pastaj e kishin dërguar në QKUK.

Ndërsa në momentin kur kishin shkuar në QKUK pas 1 ore apo 1:30 minuta ishte konstatuar vdekja.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitares Lutfije Haxhiu seanca vazhdoi me dëshminë e dëshmitarit Afrim Haxhiu, i cili është babai i të ndjerës, i cili po ashtu rrëfeu se atë ditë vajza e tij nuk kishte peshuar.

Në momentin kur i ishte vështirësuar gjendja vajzës së tij ai nuk kishte qenë aty, mirëpo pas 45 minutave përafërsisht e kishte thirrur bashkëshortja e tij dhe i kishte thënë: “Eja shpejt se vajza nuk është mirë!”.

Kur kishte hyrë brenda, bashkëshortja e tij kishte qenë duke qarë ndërsa Albani i kishte dhënë frymëmarrje artificiale dhe këtë frymëmarrjen ia kishte dhënë me maskë.

“Unë kam arritur ta prek vajzën, ajo kishte qenë e nxirë plotësisht” – rrëfeu dëshmitari Afrim Haxhiu.

Ai tha se në ato momente e kishte parë që vajza kishte vdekur dhe e kishte thirrur vëllanë e tij të cilit i kishte thënë: “Eja se vajza më ka vdekur”.

“Unë edhe më parë si në prokurori dhe në polici kam deklaruar se vajza jonë ka ndërruar jetë nga mbidoza që ka marrë, jo asnjëherë nuk e kam thënë që me qëllim mirëpo kjo është bërë nga pakujdesia” – tha dëshmitari Afrim Haxhiu, babai i të ndjerës në përfundim të dëshmisë së tij.

“Nga ngutia e anesteziologut dhe teknikut i cili kishte pasur për t’i marrë 50 euro pasi ai atë ditë ishte edhe në orar të punës në QKUK” – shtoi tutje Afrim Haxhiu.

Ky rast po trajtohet nga gjyqtarja Naime Krasniqi – Jashanica ndërsa prokurore e kësaj çështjeje është Ardiana Veseli.

Seanca e radhës pritet të mbahet gjatë këtij muaji dhe do dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit tekniku i Radiologjisë, Muhamet Berisha, ndërsa në muajin tetor pritet të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve tre ekspertë mjekoligjorë.

https://www.facebook.com/kallxo/videos/416127686313485/.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, të akuzuarit Alban Gjonbalaj dhe Arben Kutllovci, gjatë punës së tyre si mjekë, me rastin e dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor nuk i kishin zbatuar rregullat e profesionit të kujdesit shëndetësor duke vepruar haptazi në mënyrë të pakujdesshme, duke përdorur mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit, dhe si rezultat i këtyre veprimeve kishte ardhur deri te vdekja e pacientes T.H.

Tutje sipas aktakuzës më 04.08.2020, i pandehuri Arben Kutllovci gjatë trajtimit mjekësor, kryerjes së rezonancës magnetike për pacienten T.H. ishte dakorduar me të dëmtuarën – dëshmitaren Lutfije Haxhiu që më 04.08.2020 të kryhet rezonanca magnetike për vajzën e saj – pacienten, tani të ndjerën T.H.

Në aktakuzë thuhet se paraprakisht me rastin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore ka pranuar dhe udhëzuar ekzaminimin e “MRI ALL Body” në kundërshtim më praktikat dhe legjislacionin në fuqi, duke kryer një intervenim të tillë pa qenë i pajisur me udhëzimin për ekzaminim si dhe nuk ka bërë evidentimin e personelit mjekësor dhe dokumentacionit shëndetësor për trajtimin e pacientes.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Alban Gjonbalaj më 04.08.2020, rreth orës 09:15  në ambientet e Klinikës “CT SCANER”, me rastin e ofrimeve të shërbimeve shëndetësore, ka vlerësuar në mënyrë jo të drejtë gjendjen e pacientes T.H., duke mos bërë matjen e peshës trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ekzaminimi i pacientes është bërë pa udhëzim të mjekut si dhe incizimi i rezonancës magnetike të tërë trupit të pacientes është bërë pa prezencën e mjekut specialist të Radiologjisë, por në prezencë të Muhamet Berishës, teknik i Radiologjisë pa licencë valide të punës.

Në aktakuzë thuhet se si pasojë e mostrajtimit të veçorive individuale të organizimit apo të ndjeshmërisë në barnat e përdorura, i pandehuri Alban Gjonbalaj ia ka dhënë dozën e parë të anestezionit pacientes ndërsa pas 10 -15 minutash të njëjtës i është dhënë edhe doza e dytë e anestezionit, dhe pas kësaj i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe përkundër ndihmës së parë dhe dërgimit në urgjencë në QKUK, pacientja pas dy orësh kishte ndërruar jetë.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se nga raporti i autopsisë Nr. MA 20-215, datë 05.08.2020 vërtetohet se tani të ndjerës T.H. i është përkeqësuar gjendja gjatë procedurës se MRI nën anestezion të përgjithshëm dhe se është e mundur që substancat anestetike të përdorura gjatë anestezionit MRI-së, të kenë qenë shkëndija që ka iniciuar këtë zinxhir kompleks që ka ndërhyrë në mekanizmin e vdekjes.

Më këtë ata akuzohen se kanë kryer secili, veç e veç, veprën penale – trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.